Trajneri i Teutës, Edi Martini, foli pas triumfit 1-2 që skuadra e tij arriti në transfetë ndaj Tiranës. Tekniku shkodran ndër të tjera deklaroi se ka peng atë eliminimin në Kupa nga Tirana. Ai gjithashtu deklaroi se këtë sukses do e ndërronte me kualifikimin në Kupë.
“Ishte ndeshja e revanshit. Nuk e harroj eliminimin nga Kupa, pavarësisht pikëve që na duheshin, ekipi ishte i karikuar, luajti mirë, presuam Tiranën. Në Elbasan për Kupë luajtëm më mirë. Nuk jam i kënaqur me mënyrën si shkoi ndeshja.
Ishim më të kujdesshëm në fundin e lojës, kisha frikë me thënë të drejtën, u tërhoqëm shumë mbrapa. Duhet të shënonim edhe golin e tretë, mundësitë ishin, duhet të ishim më të qetë dhe të mbyllnim gjithçka.
E çuam ndeshjen aty ku donim për sa i përket përgatitjes, e çuam te topat e gjatë, çdo veprim të tyre e kishim parashikuar. Beqja kishte disa kohë që nuk luante, vinte nga dëmtimi. Kishte momente që edhe mund të shënonte. Na shkoi mirë, falë përkujdesit të djemve dhe mënyrë strikte që luajtën.
Kemi një ndeshje shumë të rëndësishme të prapambetur me Dinamon, ajo do e ndajë rrugën jemi për katërshe apo për të luftuar për poshtë. Në këtë kampionat, me 1-2 fitore shkon lartë. Do ta kërkojmë katërshen, do të luajmë deri në sekondën e fundit, ishalla kemi dhe pak fat.