Dy trofe të Milanit janë zhdukur në mënyrë të mistershme siç zbuloi ditën e djeshme shtypi italian. Në fakt, mungojnë dy kupa që ndodheshin te muzeu i klubit kuqezi në selinë “Casa Milan”. Bëhet fjalë për “Toyota Cup”, trofeu i fituar në Kupën Interkontinentale të 1990-ës nga Frank Rijkard si lojtari më i mirë i finales ku Milan ka mundur ekipin paraguaian të Olimpia Asunsion dhe për trofeun “Bernabeu”.
Dy Kupat kanë qenë duke u shitur nga shtëpia e famshme e ankandeve “Sotheby’s”, por fatmirësisht ka ndërhyrë Prokuroria e Milanos që ka bllokuar gjithçka. Ajo po heton drejtorin e muzeut për përvetësim të pronës.Vlera e “Toyota Cup” nuk i kalon 20.000 eurot, por natyrisht për kuqezinjtë ka vlerë sentimentale, ndërsa trofeu i dytë ka qenë thjesht një vlerësim për pjesëmarrjen.
Klubi kuqezi gjithsesi ka vënë re zhdukjen e tyre dhe, pasi janë shfaqur në katalogun e shtëpisë së ankandeve, është bërë denoncimi në prokurori. Problemi është se personi që zotëron kupat ka deklaruar se i ka blerë ato nga një kompani dhe, duke qenë palë e tretë, me pavetëdije për shkeljen, konsiderohet pronari i ligjshëm. Gjithsesi, për momentin, shitja e tyre është bllokuar.
Precedenti-Zhdukja e dy kupave nga muzeu i klubit kuqezi është rasti i dyti që dyshohet për vjedhje në shtëpinë e Milanit. Kujtojmë se vetëm disa muaj më parë, policia e Varezes ka vënë në pranga Mustafa Medhoun, magazinieri i Milanit, i cili është akuzuar për veprën penale të vjedhjes. Prej kohësh, Departamenti i Sigurisë së Klubit Kuqezi kishte lajmëruar policinë italiane (Digos) për zhdukjen e uniformave dhe pajisjeve të tjera sportive të skuadrës. Kjo e fundit pasi u sinjalizua vendosi disa kamera sigurie ekstra për të parë se kush vidhte. Dhe nga hetimi rezultoi se magazinieri i Milanit ishte hajduti.