Ish-drejtori i Policisë, Arben Hajdarmataj është shprehur se vrasjet me klering mes grupeve kriminale janë kthyer në një normalitet.
I ftuar në “Top Story”, Hajdarmataj tha se krahas vrasjeve me pagesë sot shohim edhe ekzekutime të tipit “ti vret dikë për llogari timen dhe unë vras dikë tjetër për llogari tënden”.
Pjesë nga debati:
Hajdarmataj: Ne si publik nuk është se kemi ndonjë informacion shumë të detajuar në lidhje me pendimin e të pandehurit. Ky është një periudhë tashmë e ezauruar nga institucionet e drejtësisë shqiptare. Për të sqaruar edhe publikun shqiptar, i penduari nuk është i Policisë është i Prokurorisë, sepse të penduarin e administron dhe është nën varësinë e Prokurorisë.
Kushtet kanë qenë të tilla dhe të favorshme që është penduar një i akuzuar për krime.
Duma: Ky i penduari çfarë akuzash ka?
Hajdarmataj: Akuza e parë ka qenë që është kapur rastësisht në një tentativë për grabitje të një këmbimi valuator, pastaj gjatë kohës së përpunimit të informacioneve të hetimit ka dalë që ka qenë pjesë e aktiviteteve të tjera kriminale duke përfshirë edhe në aktiviteteve të vrasjeve me pagesë. Faktkeqësisht sot po shohim që ka edhe vrasje me klering, domethënë ti vret dikë për llogari timen dhe unë vras dikë tjetër për llogari tënden.
Kjo ka kohë që komentohet në media dhe këtë pazëll tashmë të zhvilluar, del hapur në publik sepse janë vënë tritol për llogari të njërit apo të tjetrit. Mirëpo, tregon edhe se në çfarë gjendje ka arritur niveli i krimit të organizuar në Shqipëri.