Një ngjarje tronditëse ka shokuar opinionin publik në Volos të Greqisë, ku 36-vjeçarja Mariola Nakoleci humbi jetën në mënyrë tragjike, e vrarë nga bashkëshorti i saj, 40-vjeçari Pandeli Nakoleci. Pas krimit makabër, reagimi i vajzës së madhe të çiftit ka qenë emocional dhe prekës.

Në një rrëfim për median lokale taxydromos.gr, vajza 18-vjeçare tha se tashmë ndihet sikur ka humbur të dy prindërit e saj. Ajo shprehu hidhërimin e thellë që ndien ndaj të atit dhe dhimbjen e pakufishme për humbjen e nënës.

“E humba atë. Ajo na la në duart e tij, por për mua të dy janë të vdekur. I dua prindërit e mi, por tani jam vetëm unë dhe vëllezërit e motrat e mia,” – deklaroi ajo.

Ajo tha se do të marrë mbi vete përgjegjësinë për t’u kujdesur për motrat dhe vëllezërit e saj të vegjël, duke theksuar se do të jetë “edhe nënë edhe baba për ta.”

“Nuk kam më as nënë, as baba. Do të bëhem gjithçka për ta – edhe nënë, edhe baba,” – tha vajza me lot në sy.

E reja nuk i fshehu emocionet as kur foli për autorin e krimit, të atin, të cilin tha se nuk do ta falë kurrë:

“Nuk dua ta shoh më me sy. Do ta takoj vetëm për t’i thënë: turp! Ai na shkatërroi!”

Ngjarja ndodhi në qytetin Volos, ku autori u kap vetëm disa orë pas krimit, i fshehur në një parcelë, rreth 200 metra larg vendit të ngjarjes. Ai kishte hequr rrobat dhe kishte veshur veshje të gjetura në një kosh plehrash, ndërsa nuk mbante me vete telefon apo sende personale.