Në një kopsht në veri-lindje të Romës, kur i është servirur fëmijëve dreka, është gjetur një gozhdë në pjatën e makaronave. Ngjarja ka ndodhur në Monterotondo, ku prindërit janë të alarmuar. Kjo gjë nuk është hera e parë që ndodh. Ka ndodhur dhe tre herë të tjera që janë servirur sende metalike së bashku me ushqimin në mensat e institucioneve të ndryshme të qytetit.

Kryebashkiaku Riccardo Varone ka pezulluar shërbimin në të gjitha shkollat ​​e zonës dhe ka paralajmëruar hetime nga karabinierët. Fotoja e gozhdës u bë menjëherë virale në bisedat e prindërve, të cilët ishin të tmerruar për këtë situatë, shkruan Italia Feed.

“Më shumë se një vit pas episodeve të fundit, ka pasur një rast të ri, ku është zbuluar një objekt metalik në një vakt të servirur në mensën e kopshtit. Kam përgjegjësinë si kryetar i këtij qyteti, të mbroj shëndetin e bashkëqytetarëve të mi të rinj dhe të shmang çdo akt tjetër që mund ta përkufizoj si një akt kriminal”, ka shkruar kryebashkiaku në Facebook.

Vitin e kaluar kryebashkiaku kishte hedhur hipotezën se nuk ishte një aksident, por një akt kriminal për të dëmtuar imazhin dhe punën e instituteve arsimore, të administratës bashkiake, të kompanisë koncesionare të shërbimit”. Në atë kohë, fajtori mbeti një mister.