11shtator 2015 – Një grua siriane që ka humbur në atë udhëtim edhe dy fëmijët e saj, rrëfen se në drejtimin e barkës së tragjedisë ishte pikërisht Abdullahu, babai i vogëlushit që u gjet i pajetë në brigjet e Bodrumit. “Isha në udhëtim me Aylanin dhe babai i tij ishte skafisti”, thotë ajo. Akuza e Zainab Abbasit është bërë në televizionit arab, ku gruaja me lot në sy tregoi gjithashtu se në këtë tragjedi ajo ka humbur dy nga tre fëmijët e saj.
“Më thanë të jem e qetë në këtë udhëtim, pasi ai që drejtonte skafin ishte baba i dy fëmijëve që udhëtonin gjithashtu me ne”.
Sipas saj, ai ishte Abdullah Kurdi, babai i të voglit Aylan që drejtonte barkën ku vdiqën 12 persona në brigjet e Bodrumit në Turqi.
Në anën tjetër, sipas Abdullahit, babait të Aylanit, skafi u përmbys pasi dikush ishte ngritur në këmbë nga frika e detit të trazuar. Por, Zainab tregon që gjatë drejtimit të atij skafi ka qenë pikërisht ai dhe se situata u përkeqësua kur në bordin e skafit nisi të hynte uji. Madje, sipas gruas siriane, bashkëshorti i saj i kishte kërkuar Abdullahut të mos nxitonte sepse po rrezikonin të fundoseshin.
Dyshimet se Abdullahu ishte fajtor janë hedhur më parë në disa statuse në Twitter dhe Facebook, sipas të cilave ai u kthye menjëherë në Siri meqë skafisti ishte ai.
Për një të përditshme irakiane, një tjetër grua tjetër ka thënë se njeriu që drejtonte barkën ishte një burrë i dehur, pa specifikuar nëse ai ishte pikërisht Abdullah. Ajo ka thënë se burri mori drejtimin e skafit kur drejtuesi i saj, i trembur nga dallgët e detit, u hodh duke i braktisur. /telegrafi/