I tronditur pa masë nga vdekja e së bijës, i dehur dhe në gjendje depresive, një 63- vjeçar ka tentuar t’i japë fund jetës duke prerë damarët.
Ngjarja tronditëse ka ndodhur në varrezat e Tufinës në kryeqytet. Mësohet se shtetasi me iniciale Sh.K.është gjetur nga kalimtarët pothuajse pa shenja jete dhe i mbuluar nga gjaku.
Ai është transportuar me urgjencë në spital dhe pas kujdesit të mjekëve mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se vajza e 63-vjeçarit është ndarë nga jeta në moshën 19-vjeçare, gjë e cila ka sjellë gjendjen e rënduar tek ai. Në dhomën e spitalit ku ndodhet, ai ka deklaruar për policinë se donte të bashkohej me vajzën ndaj kishte prerë damarët. “Doja që të bashkohesha me vajzën dhe prindërit sepse jeta ime nuk ka asnjë kuptim pa ata”, mësohet të ketë thënë përpara policisë, 63-vjeçari, përcjell BalkanWeb.
Materialet hetimore të policisë iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vlerësim.





