Artur Melo dëmtohet dhe do të mungojë të paktën 4 javë. Ky është lajmi më i keq që mund të merrte trajneri Ernesto Valverde dhe tifozët e Barcelonës, të cilët do të humbasin një nga lojtarët më të mirë të momentit në një pjesë delikate të sezonit.
Braziliani bëri një ndeshje të shkëlqyer ndaj Realit të Madridit në Kupën e Mbretit, por dje mësoi lajmin se do të qëndrojë për afro 1 muaj jashtë fushave të lojës.
Diçka që lidhet deri diku edhe me ditëlindjen e Nejmarit, ku trajnerit Valverde nuk i pëlqeu aspak fakti që Artur udhëtoi drejt Parisit një ditë përpara ndeshjes dhe i tërhoqi vëmendjen që të jetë më profesionist.
Por, kjo është pjesë e së kaluarës sepse në fushën e lojës, Artur u përgjigj mjaft mirë dhe bëri ndeshje “monumentale”.Mesfushori brazilian do të humbasë sfidat ndaj Atletikos së Bilbaos, Vajadolidit, Lionit dhe Realit të Madridit në Kupë dhe kampionat. Në këtë mënyrë, trajneri Valverde do ta ketë të vështirë të bëjë rrotacion dhe lojtarët si Rakitiç, Vidal dhe Alenja do të mbajnë peshën e ndeshjeve.
Por në kampin katalanas janë të shqetësuar edhe për kapitenin Leo Mesi. Sulmuesi i Barcelonës nuk u stërvit me grupin ditën e djeshme dhe vazhdon të mbetet në dyshim për sfidën e nesërme kundër Bilbaos.
Ai bëri ushtrime vetëm në palestër dhe jo me pjesën tjetër të skuadrës. Me shumë mundësi do ta nisë nga stoli sfidën. Lajme të mira në lidhje me 2 francezët Umtiti dhe Dembele.
Të dy u rikthyen të stërviten me skuadrën, por duket se mbrojtësit do t’i duhet një kohë më e gjatë për të qenë gati në 100% të formës së tij. Dembele mund ta nisë si titullar, por edhe Malkom ka shanse reale.





