Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur natën e së hënës, në Angli, në qytetin e Manchesterit, ku të paktën 19 persona janë vrarë dhe rreth 50 të tjerë janë plagosur.

Shpërthimi ndodhi në orën 22:35 në “Manchester Arena”, ku ishte duke u mbajtur koncerti i këngëtares amerikane Ariana Grande.

Ende nuk dihen saktësisht shkaqet e shpërthimit, ndërkohë që autoritetet vendase po hytojnë mbi dyshimet e një sulmi terrorist.

“Deri më tani kemi konfirmuar se 19 persona janë të vdekur dhe rreth 50 të tjerë janë plagosur. Kjo është duke u trajtuar si incident terrorist, derisa policia të mësojë më shumë”, ka thënë policia në Mançester në “Twitter”.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May ka thënë se autoritetet janë duke punuar për të kuptuar detajet e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur mbarë Evropën.

Dëshmitarët kanë thënë se kanë dëgjuar një shpërthim të fuqishëm teksa njerëzit ishin duke u larguar nga “Manchester Arena”, ku këngëtarja Ariana Grande kishte mbajtur koncert. “Të gjithë filluan të vrapojnë dhe të ulërasin”, tregoi një dëshmitar okular. Thuajse të gjitha viktimat, janë të rinj e të reja.