Njëzet e një ditë para ndeshjes me Italinë, për Kombëtaren vjen një lajm i hidhur. Mërgim Mavraj nuk do jetë në dispozicion të trajnerit Xhani De Biazi për sfidën kualifikuese të 24 marsit në Palermo.Qendërmbrojtësi ka pësuar një dëmtim me Hamburgun që pritet ta lërë jashtë fushave për katër javët e ardhshme.Lajmin e bëri të ditur trajneri i ekipit gjerman, Markus Gisdol, në konferencën për media në prag të takimit të nesërm me Hertën e Berlinit.
30-vjeçari ka pësuar një tërheqje në ligamentet e gjurit të majtë gjatë ndërhyrjes që shkaktoi penalltinë e parë në humbjen 2-1 në shtëpi ndaj Borusia Mynshengladbahut në çerekfinalen e Kupës së Gjermanisë të martën.Edhe pse nuk ka nevojë për operacion, Mavrajt do t’i duhet një muaj për ta shkelur sërish fushën, çka do të thotë se sipas të gjitha gjasave, nuk mund të jetë i gatshëm për Shqipërinë.Ky është një telash më tepër për De Biazin, i cili do të duhet të gjejë një zgjidhje për mbrojtjen. Pikërisht prapavija pritet të jetë reparti më problematik në duelin ndaj “Axurrëve”.