11 dhjetor 2014 –  Tronditet peshëngritja shqiptare. Pas Romela Begajt, një tjetër kampion bote dyshohet për doping. Daniel Godelli, i cili fitoi titullin botëror në Kazakistan mendohet se ka rezultuar pozitiv me doping në këtë kompeticion. Lajmi nuk është ende zyrtar por burime pranë Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes kanë bërë të ditur për Sport News, se peshëngritësi kuqezi ka rezultuar pozitiv. Por Godelli nuk është i vetmi që ka rezultuar pozitiv në teste, pasi dhe Hysen Pulaku gjithashtu është gjetur me doping.

Një lajm, që nëse konfirmohet tashmë dhe nga FSHP pritet të trondisë shtangën kuqezi, e cila ishte shndërruar në sportin elitar të vendit tonë.  Të dy sportistët kanë rezultuar pozitiv në Botërorin e zhvilluar në Kazakistan, ku Godelli u shpall kampion bote në dygarësh ndërsa Pulaku arriti të renditej i pari në baterinë e tij kualifikuese. Rezultati Godelli u konsiderua historik për sportin tonë, por kjo ngjarje tashmë njollos jo vetëm emrin e tij por gjithashtu dhe emrin e peshëngritjes shqiptare, pasi nëse konfirmohet dhe pozitiviteti i Danielit dhe Pulakut, atëherë peshëngritja shqiptare me shumë gjasa do të skualifikohet nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes.