Ndalohen në pikën kufitare të portit të Durrësit shtetas të huaj me pasaporta biometrike të shtetit shqiptar
Pasaportat e reja biometrike të prodhuara në Shqipëri me sa duket nuk mund të thuhet se janë aq të sigurta sa është deklaruar nga shteti shqiptar në kohën kur nisi prodhimi dhe shpërndarja e tyre. Pavarësisht shkallës së tyre të lartë të sigurisë teknike, korrupsioni njerëzor me sa duket ka prekur zyrat e gjendjes civile apo dhe institucione të tjera që kanë për detyrë të bëjnë identifikimin e personave që përfitojnë një pasaportë biometrike të shtetit shqiptar. Nga kontrollet në pikat tona kufitare po rezultojnë persona, të cilët disponojnë pasaporta të rregullta biometrike që janë prodhuar në Shqipëri, por që nuk janë në përdorim nga shtetasit që kanë identitetin në këto pasaporta, por nga shtetas të tjerë që tentojnë të kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin shqiptar. Nuk përjashtohen rastet që në mes të këtyre personave të ketë pasur dhe elementë me background kriminal. Rasti më i fundit është ai i kapjes në portin e Durrësit të shtetasit nga Kosova, Bastri Berisha i datëlindjes 16.06.1982, i cili ka prezantuar në sportelet e kontrollit portual një pasaportë biometrike shqiptare, me të dhënat e një shtetasi tjetër. Ky shtetas është arrestuar nga policia e portit, në një kohë që materialet i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Durrës.
Burime zyrtare nga Komisariati i policisë së portit të Durrësit kanë bërë të ditur se janë të paktën 7 raste të bllokimit të këtyre pasaportave. Mbajtësit e tyre janë shoqëruar apo arrestuar pasi kanë tentuar të kalojnë ilegalisht përmes pikës kufitare të portit. Nëse do ti referoheshim proçedurës se si pajiset një shtetas me pasaportë biometrike rezulton se aplikimi për pasaportat biometrike bëhet në zyrat e gjendjes civile, aty ku aplikohet edhe për letërnjoftimin dhe pas rreth 15 ditësh, tërheqja kryhet pranë organeve të policisë rajonale. Nuk është e nevojshme të paraqiten fotografi, pasi personi fotografohet aty për aty me anë të një aparati fotografik dixhital. Edhe shenjat e gishtave merren me aparate skaner dixhitalë. Praktikisht i njëjti aplikim për letërnjoftim është i vlefshëm edhe për pasaportë. Qytetarët shqiptarë mbi moshën 16 vjeç nuk mund të aplikojnë për pasaportë biometrike pa aplikuar më parë për letërnjoftimin biometrik.
Të dy këto dokumenta përmbajnë të njëjtat të dhëna personale të mbajtësit. Ideimi dhe mënyra e prodhimit te pasaportës elektronike konsiston në faktin se gjithçka kryhet përballë një nëpunësi të vetëm civil në mënyrë të shpejtë dhe të integruar (identifikimi, fotografimi, marrja e shenjave të gishtave, firma e skanerizuar në mënyrë të dukshme e shkruar mbi pasaportë). Me sa duket korrupsioni në zyrat e aplikimit po provokon nje fenomen shqetësues që po trondit “autoritetin“ e pasaportës sonë biometrike. Siç është bërë e ditur edhe më parë në media problemi ka shkuar deri në Komisionin e Sigurisë Kombëtare pasi mendohet se rreth 500 pasaporta biometrike janë nën hetim dhe dyshimet kryesore bien më shumë mbi punonjësit e gjendjeve civile se sa në sistemin e prodhimit të pasaportave biometrike, ku teknikisht është e pamundur që sistemi të nxjerrë dy karta me shenja gishtash të njëjta. Nga ana tjetër është e sigurt që ka karta me të njëjtat shenja gishtash, por me të dhëna të ndryshme. Ka shumë emigrantë që janë jashtë dhe kanë marrë shtetësinë atje e për këtë nuk janë të interesuar për shtetësinë këtu. Këto mund të jenë raste për abuzime. Bllokimet më të fundit që janë bërë në portin e Durrësit janë një tregues tjetër i këtij fenomeni abuziv.
Proçedura për pajisje me pasaportë biometrike
Në zyrën postare paguhet shuma prej 6 mijë lekësh dhe merret kuponi.
Në zyrën e gjendjes civile dorëzohet kuponi, kryhet gjetja dhe kontrollimi i të dhënave personale. Kryhet fotografimi, marrja e shenjave të gishtave dhe firma dixhitale. Nëpunësi lëshon kuponin përkatës.
Në polici, pas 15 ditësh, personi vetë ose një i deleguar i tij tërheq pasaportën. Në këtë moment qytetarit i bëhet me dije se pasaporta e mëparshme (nqs e ka) bëhet e pavlefshme.
Tiparet e pasaportës biometrike
Pasaporta biometrike shqiptare dhe europiane (ita) të lëshuara në 2009
Pasaporta biometrike ka një përmbajtje të lartë elektronike dhe kërkon kujdes të veçantë në mbajtjen e saj. Ngjyra është e kuqërremtë ashtu si pasaporta e vendeve të Bashkimit Evropian. Faqja e të dhënave, fotos është e një konceptimi bashkohor. Është plastike prej polikarbonati, e ngurtë dhe e papërkulshme pasi në të ndodhet i trupëzuar mikroproçesori në të cilin janë të magazinuara një sërë elementesh biometrikë dhe identifikues të mbajtësit si: fotografia, shenjat e 10 gishtave dhe firma e skanuar e mbajtësit. Nxjerrja e të dhënave nga microchipi bëhet me anë të teknologjisë wireless RFID (Radio Frequency IDentification) prej një distance jo më shumë se 10 cm për arsye sigurie për të dhënat personale. Në qendër të kopertinës qëndron stema e Republikës së Shqipërisë ku në dallim nga pasaportat e mëparshme ka edhe përkrenaren e Skënderbeut. Në fund të kapakut qëndron simboli i mikroproçesorit . Në faqen e të dhënave, lirisht të dukshme dhe të shkruara në shqip dhe anglisht, janë stampuar mbiemri, emri, datëlindja, vendlindja, shtetësia, data e lëshimit dhe skadencës, autoriteti lëshues, firma e mbajtësit, numri i pasaportës dhe ai personal.
Në fund të faqes ndodhet kodi alfanumerik që e bën pasaportën të lexueshme në mënyrë të menjëhershme me lexues optik. Janë shtuar karakteristika sigurie të ngjashme me ato të kartëmonedhave. Konkretisht në faqen e fotos janë stamposur mikropulla, shkrime me përmasa mikroskopike dhe të një preçizioni shumë të lartë, pamje holografike, pamje të shikueshme vetëm me Rrezet ultravioletë, filigrana dhe të tjerë elementë sigurie. Imazhi dixhital është i pirografuar direkt në faqe dhe reagon ndaj rrezeve UV. Edhe faqet e vizave përmbajnë filigrana (shirit) dhe pamje të Skënderbeut që duken vetëm kundrejt dritës. Pasaportat biometrike shqiptare janë konform udhëzimeve të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.
Pasaportat e para shqiptare filluan të lëshohen në vitet '20 të shekullit të kaluar, periudhë kjo kur filloi të merrte trajtë Shteti shqiptar. Pasaporta e mbretërisë kishte në parathënie të saj disa citime:
Ta dijsh dhe të jesh i sigurtë se fatbardhësia dhe lumtunija jote gjindet në Shqipni, e cila t’ep nder e të falë emnin Shqiptar.
Ruaje mire karakterin kombëtar dhe kryenaltësinë shqiptare; bindju ligjeve dhe urdhnave të vendit, kudo që të jesh.
Çdo shqiptar asht vllau i yt: nderoje kurdohere dhe ndihmoje kur të ketë nevojë.
Mos e përbuz gjuhën e nanes s’ate tue folë në gjuhë të huej, kur nuk asht nevoja.
Ndero flamurin e Atdheut t’and: kush nuk e nderon Shenjin e kombësisë, shnderon vehten e vet.
Gjatë periudhës së regjimit komunist Shqipëria nuk lejonte qytetarët e saj të udhëtonin jashtë shtetit ndaj nuk lëshonte pasaporta të zakonshme, por vetëm pasaporta diplomatike dhe shërbimi në numër të kufizuar. Pasaporta shërbimi u lëshoheshin edhe shoferëve apo studentëve shqiptarë me studime në vende të huaja, por pas përfundimit të misioneve apo studimeve pasaporta duhej të dorëzohej përsëri në organet e policisë. Me ardhjen e demokracisë autoritetet lëshojnë pasaporta per çdo qytetar që bën kërkesë dhe që përmbush kushtet e vendosura me ligj.
Nga viti 1991 deri në 1996 pasaporta ishte me ngjyrë të kuqe dhe nuk përmbante asnjë element sigurie në mos vulën e thatë mbi foton e pambuluar. Të dhënat ishin të shkruara me dorë me bojë tush. Mbante ende stemën e Shqipërisë komuniste.
Nga viti 1996 e deri në 2002 pasaporta kishte ngjyrë te kaftë dhe përmbante elementet e parë të sigurisë si foto e mbështjellë me plastikë (e laminuar), etj. Të dhënat ishin të shkruara me makinë. Prodhohej nga një kompani kanadeze.
Pasaporta e lëshuar në vitin 2002, përsëri me ngjyrë të kuqe, është e një standardi mjaft të kënaqshëm. Ka shumë elementë sigurie të ngjashëm me pasaportën biometrike përveç microchipit. Prodhohej nga ish-kompania shtetërore gjermane Bundesdruckerei.
Pasaporta biometrike 2009 dhe letërnjoftimi elektronik prodhohen nga kompania franceze Sagem Securite fituese e tenderit ndërkombëtar.