DURRËS, 8 nëntor 2014 – Elbasani bën surprizën e madhe të javës së 12 të superiores në Niko Dovana të Durrësit, duke mposhtur me rezultatin 2-0 Teutën, e cila zhgënjen totalisht në shtëpinë e saj pas dy fitoreve radhazi me Flamurtarin dhe Vllazninë. Që nga java e 7-të, Elbasani nuk fitonte dot, edhe pse kishte ardhur në rritje loja e tij javët e fundit. Më 5 tetor mundte Apoloninë me rezultatin 2-0, ndërkohë që për të mbërritur suksesi i radhës, me të njëjtat shifra, duhej të vinte 8 nëntori. Cota dhe Lamcja me golat e tyre, nga një në secilën pjesë, i kanë dhënë skuadrës së Muharrem Dostit një trepikësh shpresëdhënës për të ardhmen, edhe pse nuk pritej edhe nga më optimisti. Megjithatë, vendi i fundit është sërish “pronë” e Elbasanit, që tashmë ka 6 pikë, një më pak se Apolonia. Verdheblutë kanë gjetur rrugën e golit, po ashtu, pas pesë javësh agjërim, pikërisht në Durrës. Mirel Cota, një ish-lojtar i Teutës, i ka ndëshkuar për herë të parë të besuarit e Hasan Likës kur nuk pritej, në minutën e 11-të. Një mosmarrëveshje mes mbrojtësit Hoxha dhe portierit Rizvani për zotërimin e topit është shfrytëzuar nga sulmuesi verdheblu, që ka zgjatur këmbën dhe e ka drejtuar “sferën” në rrjetën e vendësve. Reagimi i “djemve të detit” ka qenë evident, por u ka munguar finalizimi. Edhe pse e kanë spostuar lojën në gjysmëfushën kundërshtare, durrsakët kanë dështuar t’i barazojnë shifrat në pjesën e parë. Në fakt, topi e ka prekur rrjetën e Kotorrit pas goditjes së dënimit nga Krasniqi, por anësori ka anuluar gjithcka për pozicion jashtë loje. As fati nuk është me Teutën në këtë sfidë, si në minutën e 39, kur goditja e Rafel u ndal nga shtylla. Pjesa e dytë ka qenë një dialog i gjatë mes sulmeve të pafundme të durrsakëve dhe mbrojtjes së saktë mike. Elbasani arrin të shmangë një tjetër një moment të rrezikshëm në minutën e 67, për të ardhur më pas te minuta e 80, kur goditja e Miles me kokë kaloi ngjitur me shtyllën.Trajneri Lika ka bërë zëvendësime duke shtuar numrin e sulmuesve në fushë, por zhbilancimi drejt ofensivës i ka kushtuar golin e dytë. Ka qenë Lamcja, ai që ka dyfishuar shifrat në minutën e 82-të, duke i shkaktuar Teutës një humbje të papritur dhe tronditëse.





