Teuta e Durrësit në telashe me drejtësinë, pasi është ende nën hetim nga organet e drejtësisë të Austrisë për trukim të rezultatin të ndeshjes miqësore të futbollit Austria Vjenë-Teuta, e luajtur më 21.06.2016 në Seeboden të Austrisë dhe që ka përfunduar 7-2 për austriakët. Ekipi shqiptar dyshohet se ka humbur qëllimisht me rezultat të thellë për të përfituar financiarisht nga bastet sportive.

Lajmi i bujshëm raportohet nga “Shqiptarja.com”, që ka siguruar letër-porosinë që u kanë dërguar autoritetet e drejtësisë austriake atyre shqiptare, në mënyrë që hetimet të vazhdojnë edhe në vendin tonë. Nga pala austriake kërkohet prej prokurorisë shqiptare që të merren në pyetje në kuadër të hetimit për trukimin e kësaj ndeshje disa shtetas shqiptarë.Nga burime të gazetës, mësohet se bëhet fjalë për disa lojtarë të Teutës dhe pjesë e stafit të skuadrës dhe se mund të jenë rreth 5 persona. Këta shtetas shqiptarë akuzohen nga drejtësia austriake për veprën penale të “Mashtrim i rëndë”. Gjykata e Tiranës i ka dhënë autorizimin e saj Prokurorisë së Tiranës për të proceduar sipas kësaj letër-porosie të austriakëve dhe së shpejti të dyshuarit të do të merren në pyetje.