Arkeologia e njohur, Lida Miraj, ka postuar foton e këtij mozaiku brilant në Durrës, një nga zbulimet më të mrekullueshme në fushën e mozaikëve në Mesdhe, por që fatkeqësisht është ‘zhdukur’ nga trotuari që është ndërtuar mbi të.
“Mozaiku me motive marine, që datohet në shek. I p.K., u zbulua në vitin 1947 gjatë disa punimeve për infrastrukturën e qytetit dhe gërmimet u kryen nga Vangjel Toçi. Mozaiku u gërmua në tërësinë e tij në 50 m2. Mozaiku u rizbulua dhe u dokumentua në vizatim të detajuar, në fund të viteve ‘80 e fillim të viteve ‘90, nga Moikom Zeqo dhe gjatë kësaj rihapjeje u morën masa për mbulimin e tij me masa mbrojtjeje”, shkruan arkeologia Lida Miraj, ndërsa pyet: “Po sot? Mozaiku është akoma aty, nën një trotuar dhe pret që të rihapet, për të treguar trashëgiminë e pasur kulturore të Durrësit, si një nga qendrat më të rëndësishme të Mesdheut!”