TIRANE, 23 shkurt 2013 – Kampionati shqiptar i futbolli është nën hetim. Bëhet fjalë për një seri takimesh të zhvilluara në dy sezonet e fundit, të cilat janë dyshuar si të trukuara. Lajmi konfirmohet edhe nga Prokuroria e Përgjithshme shqiptare, sipas së cilës UEFA në mënyrë periodike ka sjellë në institucionin shqiptar të akuzës dosje për ndeshje që sipas kësaj të fundit rezultojnë me anomali serioze. 

Faktikisht, ndryshimi i këtyre raporteve apo dosjeve të UEFA-s, në krahasim me ato të publikuara në parë në mediat vizive dhe të shkruara, të ardhura në Federatën Shqiptare të Futbollit, qëndron tek anashkalimi tashmë i kësaj të fundit dhe dërgimi direkt i rasteve të dyshuara në Prokurorinë shqiptare. “Nuk mundemi që të japim shumë detaje lidhur me protagonistët apo ndeshjet që kemi marrë nga UEFA, pasi janë në hetim e sipër dhe në të tilla kushte nuk mund të publikohen. Gjithsesi, konfirmoj se UEFA, në mënyrë periodike, gjatë kohëve të fundit, e kam fjalën jo para një javë, dje apo sot, por diçka më përpara, ka sjellë zyrtarisht në Prokurori raporte për ndeshje të kampionatit shqiptar, të cilat rezultojnë si të dyshuara për trukim”, pohon zyrtarisht për “Panorama Sport” zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme, Albi Serani. 

Raportet – Kujtojmë se që në vitin 2011 institucioni i futbollit europian, bazuar në sistemin e sofistikuar, i quajtur Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve, BFTS, dha alarmin se futbolli shqiptar po trukohej pothuajse çdo javë. Sipas sistemit të UEFA-s, ishin monitoruar paratë e luajtura për ndeshje të caktuara dhe lëvizjet e koeficienteve, që sipas specialistëve sillte përcaktimin përfundimtar nëse një ndeshje ishte fiksuar apo jo. Nisur nga kjo, UEFA dërgoi fillimisht një listë prej 12 ndeshjesh të sezonit 2010-2011, të konsideruara si të dyshuara për trukim, nga të cilat pesë takime i përkisnin një jave të vetme: java e 29-të e Superiores 2010-2011. Sipas UEFA-s, vetëm ndeshja Vllaznia-Tirana e asaj jave mund të konsiderohej si e rregullt dhe pa anomali. Pas kësaj, UEFA dërgoi edhe dosje të tjera në FSHF, të cilat fatkeqësisht nuk përfundonin nga kjo e fundit më pas në Prokurori. Pikërisht për këtë arsye në Shqipëri erdhi drejtuesi i zyrës juridike në UEFA, Pier Korny, i cili pas takimeve që pati me FSHF-në dhe Prokurorinë, kërkoi një bashkëpunim mes këtyre dy institucioneve. Nga ai moment, sipas informacioneve nga Prokuroria e Përgjithshme, UEFA nuk është mjaftuar vetëm me dërgimin e sinjaleve, raporteve apo dosjeve FSHF-së, por i ka dorëzuar zyrtarisht vetë në organin tonë në akuzës. 

“Europol”-i – Çka tronditi më shumë botën e futbollit ishte deklarata e përfaqësuesit të “Europol”-it, në një konferencë për shtyp mbajtur diçka më pak se një muaj më parë. Hetimi i këtij organizmi prestigjioz policor kishte vërtetuar me fakte se më shumë se 700 ndeshje ishin manipuluar në harkun kohor të viteve 2008-2011. Rreth 380 ndeshje mbeten nën hetim, përfshi këtu edhe Stabaek-Tirana 4-0, Vllaznia-Rapid Vjenë 0-3 dhe Rapid Vjenë-Vllaznia 5-0, ashtu sikundër edhe 425 futbollistë, zyrtarë, gjyqtarë apo persona me precedentë kriminalë u janë prerë tashmë edhe urdhër-arrestet. Sigurisht nuk mungojnë këtu edhe shqiptarët dhe veç kësaj konfirmohet se “Europol”-i ka vendosur një urë bashkëpunimi edhe me Prokurorinë shqiptare, ashtu sikundër ka bërë edhe me një pjesë të mirë të institucioneve të akuzës në shumë shtete të Europës dhe botës. “Po, sigurisht që Prokuroria ka lidhje dhe bashkëpunon me organizma të tilla si Europol, por sikundër u thashë, për shkak të hetimit nuk mund të zbulojmë emra apo për cilat ndeshje bëhet fjalë”, ka ritheksuar zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme.