Deklarata e Europolit për zbulimin e 380 ndeshjeve të trukuara dhe 300 të tjerave që janë të dyshuara, ka tronditur jo vetëm botën e futbollit, por edhe Prokuroritë e vendeve të ndryshme.
Sulmi kryesor duket i përqendruar në Singapor, një shtet të cilin shefi i Europolit Rob Uajnrajt e cilësoi si zemrën e manipulimit të ndeshjeve. Autoritetet e këtij qytet-shteti kanë nisur menjëherë kontrollet për të zbuluar qendrat ku vihen bastet e paligjshme, ndërsa po bashkëpunojnë ngushtë me policitë e Evropës.
"Singapori kërkon t'u japë një goditje të fortë trukimeve në futboll dhe është duke punuar me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit për të mposhtur sindikatat e krimit, sidomos ato që veprojnë në shtetin tonë dhe që cënojnë integritetin e sportit", bëri të ditur policia e këtij vendi në një komunikatë për shtyp.
Europoli bëri të ditur se në këtë megaskandal janë përfshirë arbitra, zyrtarë klubesh e futbollistë në të gjithë botën, ndërsa hetimi ka qenë i përfshirë në Evropë, Azi, Afrikë dhe Amerikën Jugore e Qendrore. Si "zemra" e manipulimit të ndeshjeve është cilësuar Singapori, një vend i lidhur edhe në të shkuarën me këtë krim. Uilson Raj Perumal u burgos në Finlandë në vitin 2011, ndërsa një tjetër shtetas i Singaporit, Tan Seet Eng apo Dan Tan, është i kërkuar në Itali për skandalin e basteve që ka përfshirë këtë vend.
Autoritetet e Singaporit janë të shqetësuara, pasi skandali ka marrë përmasa aq të mëdha, sa imazhi i vendit është duke u rrënuar. "Kjo histori mund të dëmtojë rëndë imazhin global për Singaporin, si një zonë financiare etike dhe e sigurt në Azi, – tha Xhonatan Galaviz, drejtori menaxherial i kompanisë së konsulencës Galaviz % Co. – Organet hetimore në Singapor duhet të gjejnë shkaqet se përse vendi i tyre është përfshirë në bastet e paligjshme dhe në korrupsionin në sport. Është tmerrësisht shqetësuese që skandali i fiksimit të ndeshjeve ka shkaktuar kaq reklamë negative për Singaporin", shton ai.
Ndërkohë, Federata e Singaporit tha se i ka marrë shumë seriozisht akuzat për fiksime ndeshjesh dhe se do të tregojë gjithë forcën e saj për të ndëshkuar këtë fenomen. "Gjithsesi, problemi i trukimeve nuk është vetëm pjesë e Azisë, – bëri të ditur kjo Federatë nëpërmjet një komunikate për mediat. – Është një problem global dhe ne do të vazhdojmë të punojmë nga afër me autoritetet lokale dhe ndërkombëtare për të luftuar fiksimin e ndeshjeve dhe korrupsionin", thuhet më tej në të. Zaihan Mohamed Yusof, një gazetar investigativ në Singapor, pranon se numri i ndeshjeve të dyshuara është më i madh.
"Ky numër mund të shkojë deri në 680 sipas meje, – u shpreh ai për AFP. – Nuk jam i sigurt nëse ato janë manipuluar të gjitha nga singaporianët, por të paktën ekziston një vend ku ne duhet të luftojmë kundër këtij fenomeni", shtoi Yusof. "Një nga problemet më të mëdha të kësaj pune është se kur njerëzit të shohin diçka spektakolare në futboll do të thonë: Ishte e vërtetë apo ishte e manipuluar? Kjo është një nga humbjet më të mëdha nga fiksimi i ndeshjeve, – tha sekretari i përgjithshëm i Interpolit Ronald K. Noble, në një intervistë për Associated Press. – Është një humbje e kredibilitetit", shtoi ai. Sipas Noble, të investosh në krimin e futbollit, në fiksimin e ndeshjeve, është më pak e rrezikshme dhe paratë e krimit mund të pastrohen më lehtë. "Për këta njerëz, dënimi me një, dy, tre apo katër vjet, është një hiç para faktit se kanë bërë 10, 20 apo 30 milionë dollarë", shtoi sekretari i Interpolit.