UEFA ka bllokuar shpërblimin e Luftëtarit për pjesemarrjen në Europa League sepse ndeshja Luftëtari-Ventspils është nën hetim për trukim.
Ajo që u pa në Elbasan ka shqetësuar pa masë UEFA-n, që ka marrë menjëherë pas ndeshjes sinjalizim për trukimin e ndeshjes.
Ja teksti i letrës së ardhur nga UEFA në FSHF, publikuar nga Procesi Sportiv.
“Kjo korrespondencë është për t’ju dhënë informacion në lidhje me shpërndarjen e pagesave të solidaritetit për klubet pjesëmarrëse në fazën kualifikuese të Ligës së Europës për sezonin 2018-2019.KS Luftëtari është i përfshirë në disa ndeshje të Ligës së Europës të cilat janë në hetim paraprak nga Komisioni i Integritetit i UEFA sipas nenit 12 të Rregullores Disipliniore të UIEFA-s. Vini re që pagesat e solidariteti janë bllokuar në pritje të përfundimit të hetimit.Siç jeni në dijeni, UEFA ka një detyrim të mbrojë integritetin e kompeticioneve të saj dhe të parandalojë të gjitha mënyrat që mund të rrezikojnë rregullsinë e ndeshjeve apo aktiviteteve apo të lindin dyshime për abuzim me futbollin në përputhje me Nenin 2 të Statutit të UEFA.Si rrjedhojë, ne do të kërkonim që FSHF dhe klubi në fjalë të mos bëjë asnjë komunikim publik në lidhje me këtë komunikim dhe përmbajtjen e tij. Ju do të kontaktoheni nga Komisioni i Integritetit i UEFA në momentin e duhur nëse ndonjë gjë tjetër do të kërkohet nga ju në lidhje me këtë çështje”.





