Vetëm disa ditë pas vendimit në të cilën ish-Presidenti amerikan Donald Trump u shpall fajtor për 34 akuza, në një intervistë për Fox News ai tha se do të pranonte izolimin në shtëpi ose burg pas dënimit të tij historik nga një juri në Nju Jork.
“Unë jam dakort. Por pashë një nga avokatët e mi një ditë më parë në televizion duke thënë: ‘Oh jo, ju nuk doni t’ia bëni këtë presidentit.”
Pavarësisht dakordësisë së tij me vendimin që pritet të jepet, Trump aludoi se amerikanët nuk do të ishin dakord.
“Kjo mund të ndodhë. Unë nuk jam i sigurt se publiku do ta mbështeste atë. Mendoj se do të ishte e vështirë për publikun ta pranonte. E dini, në një moment të caktuar, ka një pikë thyerjeje.”
Trump nuk elaboroi se çfarë mendonte se mund të ndodhte nëse arrihet kjo pikë. Ish-Presidenti amerikan e ka përdorur çështjen penale për të rritur përpjekjet e tij për mbledhjen e fondeve që deri më tani ka mbledhur 70 milion Dollarë, por nuk ka kërkuar të mobilizojë mbështetësit e tij.
Gjykata në Nju York vendosi që dënimin ta njoftoje më 11 Korrik, katër ditë përpara fillimit të Konventës Kombëtare Republikane që pritet të emërojë zyrtarisht Trumpin për president. Deri atëhere Trump nuk do të burgoset, por do të vazhdojë të jetë i lirë. Ai pohoi në intervistën për Fox News se nuk bëri asgjë të gabuar dhe e cilësoi sërish një gjueti shtrigash akuzat ndaj tij.
“Unë po luftoj për Kushtetutën,” tha Trump, duke shtuar se gjyqi kishte qenë më i ashpër për familjen e tij. Duke folur konkretisht për gruan e tij, ish-zonjën e parë Melania Trump, ish-Presidenti tha se ajo po kalon një moment të vështirë.
Çështja nuk pritet të zgjidhet përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, kur ai do të kërkojë të rimarrë Shtëpinë e Bardhë nga Biden. Trump është zotuar të apelojë dënimin e tij nga juria e Nju Jorkut, e cila e shpalli atë fajtor për 34 akuza penale për falsifikimin e dokumenteve për të mbuluar një pagesë për të heshtur yllin e filmave për të rritur Stormy Daniels përpara zgjedhjeve të 2016-ës.