Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kanë shtrënguar duart dhe kanë shkëmbyer përshëndetje, derisa liderët janë mbledhur për fotografinë e grupit në samitin ekonomik të Azi-Paqësorit në Vjetnam.

Takimi i shkurtër ka pasuar ditë të tëra spekulimesh se Trump dhe Putin do të mbajnë bisedime formale më 10 nëntor.

Por, Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar në fund se dy presidentët nuk do të takohen formalisht.

Zëdhënësja Sarah Sanders ka thënë se takimi nuk zhvillohet për shkak të mospërputhjes së axhendave.

Marrëdhëniet SHBA-Rusi janë tensionuar keq për shkak të agresionit të Moskës në Ukrainë dhe ndërhyrjes së saj të dyshuar në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e kaluar.

Të vetmin takim ballë për ballë, presidentët Trump dhe Putin e kanë zhvilluar në një samit në Gjermani, në muajin korrik.