Presidenti amerikan, Donald Trump në një intervistë të zhvilluar të hënën nuk u përgjigj nëse do të përdorte forcën ushtarake për të pushtuar Groenlandën, duke iu përgjigjur shkurt “pa koment” një pyetjeje në lidhje me këtë çështje,

Ai ka kërcënuar të vendosë tarifa për importet nga tetë vende evropiane derisa të arrihet një marrëveshje për t’ia shitur Groenlandën Shteteve të Bashkuara.

Trump për NBC News kritikoi udhëheqësit evropianë që i kanë rezistuar përpjekjeve të tij për të blerë Groenlandën, të cilën ai e thotë se është thelbësore për mbrojtjen e sigurisë kombëtare nga kërcënimet e jashtme.

“Evropa duhet të përqendrohet në luftën me Rusinë dhe Ukrainën, sepse, sinqerisht, e shihni se ku i ka çuar kjo. Kjo është ajo në të cilën duhet të përqendrohet Evropa, jo në Groenlandë”, tha ai.

Kur u pyet nëse do të ecte përpara me planet për të vendosur tarifa ndaj vendeve evropiane nëse nuk arrihet një marrëveshje për Groenlandën, Trump u përgjigj: “Po, 100 përqind”.