Gara për Shtëpinë e Bardhë në SHBA 2024 hyn sot në ditën e saj të fundit. Më pak se 24 orë nga hapja e qendrave të votimit, sondazhet konfirmojnë se hendeku në parashikimin e votave midis Kamala Harris dhe Donald Trump, është shumë i ngushtë.
Sipas një projeksioni nga ABC Neës dhe Ipsos, zëvendëspresidentja demokrate është përpara në rang kombëtar me tre pikë përqindje ndaj sfidantit të saj republikan. Sondazhi, i fundit i kryer nga 29 tetori deri më 1 nëntor, tregon se mbështetja për Harris në mesin e votuesve të mundshëm është 49% kundrejt 46% për Trump.
Rezultatet janë të përafërta me ato të javëve të mëparshme. Javën e kaluar, një anketim i ngjashëm i dha Harris një epërsi prej katër pikësh (51% me 47%), ndërsa dy javë më parë kandidatja demokrate ishte prapa me dy pikë. Trump dhe Harris po i përqendrojnë tani përpjekjet e tyre tek shtetet e lëkundura, venmdimtare për presidencën. Trump parashikoi në Georgia një fitore historike.
Ne duhet të mposhtim Kamala Harris dhe të ndalojmë axhendën e saj radikale të majtë me një fitore dërrmuese, e cila të jetë shumë e madhe për t’u manipuluar.
Harris tha në Detroit se duhet te vendoset fati i vendit për brezat që do të vijnë.
Ne duhet të veprojmë. Nuk mjafton vetëm të lutemi, nuk mjafton vetëm të flasim. Ne duhet të veprojmë sipas planeve që Zoti ka përgatitur për ne dhe duhet t’i kthejmë në realitet nëpërmjet veprave tona, zgjedhjeve tona të përditshme, në komunitetet, në demokracinë tone.
Zëvendëspresidentja gëzon mbështetje të fortë në mesin e popullatës femërore, ndërsa republikani ka fituar terren në mesin e votuesve hispanikë, veçanërisht meshkujve. Në votimet e hershme sakaq, është shënuar një pjesëmarrje rekord. Më shumë se 76 milionë votues amerikanë e kanë hedhur tashmë votën e tyre, duke iu afruar kështu gjysmës së 160 milionë votave të hedhura në total në vitin 2020. Atë vit, pjesëmarrja u konfirmua të ishte më e larta për më shumë se një shekull.