Ish-presidenti Donald Trump deklaroi të enjten se është i hapur për të debatuar tre herë në shtator me zëvendëspresidenten Kamala Harris.
Duke folur gjatë një konference për shtyp në resortin e tij në Mar-a-Lago, Trump tha “Se është shumë e rëndësishme të ketë debate” dhe shtoi se ai pranoi ftesat nga NBC News, Fox News dhe ABC News.
Gjatë njoftimit të tij, Trump i citoi gabim disa nga datat, por televizionet dhe stafi i fushatës së Trump sqaruan më vonë se debati i ABC News do të zhvillohet më 10 shtator.
Debati i Fox News ishte propozuar për 4 shtator, ndërsa debati në NBC News ishte caktuar më 25 shtator.
Trump kishte thënë më herët se do të anashkalonte një debat në ABC News që ishte planifikuar për në 10 shtator me presidentin Joe Biden, por tanimë situata ka ndryshuar.
Republikani tha gjithashtu se stafet e fushatës zgjedhore kanë rënë dakord edhe për një debat mes kandidatëve për zëvendëspresident, duke shtuar se kandidati i tij, senatori republikan i Ohajos, XHi.Di Vens, “është gati dhe po bën një punë fantastike”.