Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i ka bërë një kërkesë zyrtare Selisë së Shenjtë në Vatikan për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes për rindërtimin e Gazës dhe zonave të tjera të botës, sipas “Reuters”.
Kardinali Pietro Parolin, sekretari i Shtetit i Vatikanit, tha sot se Selia e Shenjtë do të marrë kohë për të shqyrtuar kërkesën, ndërsa bëri thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar.
“Italia po reflekton mbi këtë çështje. Papa Leone XIV e ka marrë ftesën dhe po shohim se çfarë do të bëjmë. Besoj se është një çështje që ka nevojë për pak kohë për t’u shqyrtuar dhe për t’i dhënë një përgjigje”, tha Parolin në një aktivitet në Romë.
Megjithatë, Parolin nënvizoi se Vatikani nuk ishte në gjendje të kontribuonte ekonomikisht në Bordin e Paqes në Gaza.
“Ne nuk marrim pjesë ekonomikisht, as nuk jemi në gjendje ta bëjmë këtë”, tha Parolin.
“Sigurisht, nuk do të dija si t’i përgjigjesha kësaj pike, por ne jemi qartësisht në një situatë të ndryshme nga vendet e tjera, kështu që vlerësimi do të jetë i ndryshëm. Por unë besoj se kërkesa nuk do të jetë për të marrë pjesë ekonomikisht, sepse nuk jemi në gjendje ta bëjmë këtë”, shtoi ai.
Lidhur me tensionet midis SHBA-së dhe Evropës, Parolin tha se po krijohet një klimë që po e përkeqëson situatën në nivel global dhe se është e rëndësishme të qetësohen tensionet përmes diskutimeve dhe jo polemikave.
Nga Davosi, Trump tha sot se ai e donte shumë Evropën, por nuk i pëlqente drejtimi që kishte marrë.
Por Parolin beson se Trump duhet para së gjithash të respektojë të drejtën ndërkombëtare.
“Çfarë mund të them për këtë? Është pikëpamja e tij, mjafton të respektohet e drejta ndërkombëtare, mendoj se kjo është gjëja e rëndësishme, përtej ndjenjave personale që janë legjitime. Të respektohen rregullat e unionit ndërkombëtar”, tha Parolin.





