Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar vendosjen e tarifave të reja për telefonat inteligjentë dhe pajisje të tjera elektronike të prodhuara në Kinë, pavarësisht përjashtimeve të bëra disa ditë më parë.
Sipas mediave të huaja, Trump sqaroi se nuk bëhet fjalë për heqjen e tarifave, por për një ndryshim të sistemit të taksimit. “Thjesht po ndryshojmë sistemin e taksimit, nuk është se tarifat janë hequr,” tha ai.
Tregjet evropiane të aksioneve reaguan pozitivisht të hënën në mëngjes pas njoftimit të së premtes se disa produkte do të përjashtoheshin përkohësisht nga tarifat, të cilat mund të arrijnë deri në 145%.
Nga ana tjetër, Kina i ka bërë thirrje presidentit amerikan që të anulojë tërësisht regjimin e tarifave dhe të rikthehet në rrugën e respektit të ndërsjellë. Megjithatë, zyrtarë amerikanë bënë me dije se këto produkte do t’i nënshtrohen të ashtuquajturave “tarifa gjysmëpërçuese”, ndërsa Trump pritet të japë më shumë detaje në vijim.
Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, deklaroi se taksat e reja janë një shtesë e një serie tarifash globale që ishin vendosur në fillim të muajit, por u pezulluan për 90 ditë. “Ne kemi nevojë për ilaçet tona dhe kemi nevojë për gjysmëpërçues dhe elektronikë që do të ndërtohen në Amerikë,” u shpreh ai.