Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, kërcënon me tarifa të reja mbi eksportet nga vendet që “diskriminojnë” kompanitë amerikane të teknologjisë.

“Taksat ose ligjet mbi shërbimet digjitale, si dhe rregulloret mbi tregjet digjitale, janë hartuar në të gjitha rastet për të diskriminuar ose dëmtuar kompanitë amerikane”, paralajmëroi Trump në një postim në Truth Social.

Nëse masat që “diskriminojnë” kompanitë amerikane nuk hiqen, Trump nuk përjashtoi vendosjen e “detyrimeve të mëdha doganore shtesë” mbi produktet e vendeve që i zbatojnë ato, si dhe kufizimet mbi eksportet amerikane të gjysmëpërçuesve dhe teknologjive për to.

Në qershor, Trump anuloi bisedimet tregtare me Kanadanë mbi një taksë mbi shërbimet digjitale që Ottawa planifikonte të vendoste, duke synuar kryesisht kompanitë shumëkombëshe amerikane si Alphabet, Amazon dhe Meta. Qeveria kanadeze e anuloi masën vetëm 24 orë më vonë.

Kujtojmë se vendet dhe organizatat evropiane kanë miratuar ligje për të rregulluar shërbimet digjitale.

Bashkimi Evropian, për shembull, ka miratuar Aktin e Tregjeve Dixhitale (DMA) dhe Rregulloren e Tregut të Vetëm të Shërbimeve Digjitale (DSA), të cilat trajtojnë konkurrencën dhe kontrollin e përmbajtjes. Në mënyrë të ngjashme, Mbretëria e Bashkuar vendos një taksë mbi shërbimet digjitale.