Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se kryeministri britanik, Keir Starmer dhe presidenti francez, Emmanuel Macron nuk kanë bërë asgjë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Starmer dhe Macron do të vizitojnë Trump veçmas në Uashington javën e ardhshme mes një përçarjeje në rritje midis udhëheqësit të SHBA dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Presidenti amerikan filloi negociatat për përfundimin e konfliktit me Rusinë, por përjashtoi Kievin nga bisedimet të martën.
”Zelensky ka qenë në takime për tre vjet dhe asgjë nuk është bërë”, tha Trump në një podcast të Fox News.
“Kështu që nuk mendoj se ai është shumë i rëndësishëm të jetë në takime”, shtoi ai.
I pyetur për vizitat e ardhshme nga liderët e BM dhe Francës ai tha se “ata nuk bënë asgjë për t’i dhënë fund luftës. Lufta po vazhdon, nuk ka takime me Rusinë, nuk ka asgjë”.
”Ata nuk kanë bërë asgjë. Macron është miku im dhe unë jam takuar me kryeministrin dhe ai është një djalë shumë i mirë, por askush nuk ka bërë asgjë”, theksoi ai.
Starmer është përballur me presion për të mbajtur një qëndrim të fortë me Trump për mbështetjen për Ukrainën.
Starmer do të duhet të ecë në një linjë të ndërlikuar kur të takohet me Trump në Uashington javën e ardhshme.
Kjo detyrë duket se është bërë më e vështirë javën e kaluar nga përçarja në rritje midis Trump dhe Zelensky, të cilin lideri amerikan e ka përshkruar si një “diktator”.
Amerikanët anuluan gjithashtu një konferencë të përbashkët për shtyp në Kiev, në shenjë të një grindjeje të thelluar mes dy vendeve.
Megjithatë, i dërguari i Trump për Ukrainën, gjenerali në pension Keith Kellogg, vlerësoi Zelenskyn si një “udhëheqës të guximshëm të një kombi në luftë”, pas asaj që ai i përshkroi si “diskutime të gjera dhe pozitive” midis të dyve.
Vizita e Starmer në Shtëpinë e Bardhë do të pasojë një takim mes Trump dhe Macron të hënën.