Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi në një intervistë telefonike për median Axios se lufta me Iranin pritet të përfundojë “së shpejti”, duke theksuar se operacionet ushtarake kanë pothuajse shteruar objektivat e mundshëm për t’u goditur.
“Kanë mbetur shumë pak objektiva, aty-këtu. Kur të dua unë që të përfundojë, do të përfundojë”, theksoi presidenti amerikan.
Megjithatë, pavarësisht deklaratave të Trump se operacionet kanë arritur në thelb objektivat e tyre, zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli raportohen të kenë thënë se nuk është dhënë ende ndonjë udhëzim i brendshëm për momentin kur do të ndalen veprimet ushtarake.
Ndërkohë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se operacionet do të vazhdojnë “pa kufizim kohor, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, derisa të arrihen të gjitha objektivat dhe të sigurohet një fitore vendimtare”.
Në të njëjtën kohë, Trump konfirmoi se goditjet amerikane të së martës (10 mars) shkatërruan 16 mjete lundruese që përdoreshin për vendosjen e minave detare, gjë që – sipas tij – ka prishur planet e Iranit.
“Forcat amerikane vazhdojnë të ushtrojnë një fuqi ushtarake dërrmuese kundër regjimit iranian. Fuqia ushtarake e SHBA-së po rritet, ndërsa ajo e Iranit po dobësohet”, deklaroi ai, duke shtuar se sulmet iraniane me raketa dhe dronë janë ulur ndjeshëm.
Trump theksoi gjithashtu se operacionet po zhvillohen më shpejt sesa ishte parashikuar fillimisht.
“Lufta po shkon jashtëzakonisht mirë. Jemi shumë përpara afatit të planifikuar. Kemi shkaktuar më shumë dëme sesa mendonim të mundshme edhe në planin fillestar gjashtëjavor”, u shpreh ai.
Në përfundim, presidenti amerikan shtoi se Irani po paguan për pasojat e politikave të tij ndër vite.
“Synimi i tyre ishte edhe pjesa tjetër e Lindjes së Mesme. Tani po paguajnë për 47 vite vdekjeje dhe shkatërrimi që kanë shkaktuar. Kjo është hakmarrje. Nuk do t’ia hedhin kaq lehtë”, përfundoi Trump.





