Presidenti Donald Trump pritet të shfaqet në rolin e një burri shteti gjatë samitit të së dielës, i cili po përgatitet të mbahet në Arabinë Saudite. Sipas Shtëpisë së Bardhë, e cila ka publikuar pjesë nga fjalimi i parapërgatitur i Trump, ai do të nënvizojë nevojën për t’u përballur me ekstremizmin në Islam.

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Arabinë Saudite, Trump pritet t’u drejtohet liderve të vendeve arabe me tone bashkëpunuese dhe mbështetëse në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Pasazhe nga fjalimi i tij citojnë se Presidenti do të mbajë qëndrim krejt të ndryshëm nga ai që ka artikuluar gjatë fushatës së tij për myslimanët. Sipas fjalimit të mirëpërgatitur nga Shtëpia e Bardhë, Trump do të tregohet tolerant dhe i hapur me ndryshimet kulturore të myslimanëve, duke ju thënë atyre se askush nuk duhet t’ju tregojë se çfarë duhet të bëjnë apo cilët duhet të jenë.

Më herët Trump, në shenjë nderimi për miqtë arabë, u përfshi në kërcimin tradicional të shpatave në Arabinë Saudite. Lëvizjet e tij të regjistruara u bënë menjëherë virale duke u shpërndarë masivisht në internet.

Trump nënshkroi një ditë më parë një marrëveshje me vlerë 350 miliardë dollarë me mbretin saudit Salman, për blerjen e armatimeve dhe sistemeve mbrojtëse, nga Arabia Saudite. Vizita e presidentit duket të ketë lënë në hije vështirësitë e tij politike në shtëpi, konkretish pasojat me të cilat ai po përballet për shkarkimin e shefit të FBI-së, James Comey.