Presidenti Amerikan, Donald Trump ka njoftuar tërheqjen e vendit më të fuqishëm të botës nga marrëveshja për ndryshimet klimatike, një lëvizje që e fut në “sherr” me pothuajse çdo shtet tjetër në glob.
Marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike ishte një përpjekje e madhe për të ulur ngrohjen globale, parandalimin e rritjes së niveleve të deteve dhe shkrirjes së akujve.
Trump njoftoi tërheqjen nga pakti, për të cilin më parë Presidenti Obama kishte rënë dakord, në një konferencë për shtyp që mbajti para shtëpisë së bardhë të enjten.
Kjo marrëveshje është nënshkruar nga pothuajse 200 shtete, por Trump vendosi të mbajë premtimin e fushatës duke e tërhequr Amerikën.
Ai tha se SHBA-të do të nisin negociatat për një marrëveshje të re klimatike.
Javën e kaluar, media ndërkombëtare raportoi se Trump është vënë nën presion nga liderët e NATO-s dhe Bashkimit Europian për të mos e tërhequr SHBA-të nga marrëveshja jetike për të ardhmen e botës.
Trump tha se marrëveshja e dakordësuar nga Obama do të ishte goditje për industrinë e qymyrit të SHBA-ve dhe do t’i kushtonte shumë Uashingtonit.