Tetë prototipe për murin kufitar me Meksikën kanë filluar të ndërtohen nga qeveria amerikane pas vendosmërisë së Donald Trump. Katër nga prototipet do të jenë prej betoni, ndërkohë që të tjerët do të jenë prej materialeve të ndryshme, shkruan Daily Mail.
Të tetë llojet do të ndërtohen pranë San Diegos dhe presidenti Trump ka premtuar se mes vendeve do të ngrihet “një mur i madh e i bukur”.
Me prezencën e shtuar të agjentëve federalë dhe të zbatimit të ligjit, punëtorët kanë hedhur terren në një zonë të rrethuar në Otay Mesa, një nga tre portat hyrëse në rajonin metropolitan San Diego-Tihuana.
Prototipet do të jenë deri në 9 metra të larta dhe të gjera dhe pritet të përfundojnë brenda 30 ditëve. Më pas, zyrtarët do të vlerësojnë projektet për efikasitetin dhe rezistencën ndaj depërtimit me mjete dore.
Ndërkohë në planin përfundimtar të murit do të përfshihen edhe kamera dhe sensorë. Çdo prototip muri që do të ndërtohet do të kushtojë deri në 450.000 dollarë që do të paguhen nga fondet federale.