Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka akuzuar sërish Venezuelën se po dërgon anëtarë të bandave dhe drogë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë që ai e quajti “të papranueshme”, sipas BBC.
Tensionet kanë qenë të larta midis dy vendeve që kur SHBA-ja dislokoi anije luftarake në Karaibet Jugore – në atë që zyrtarët e quajtën “operacione kundër narkotikëve”.
Si pjesë e këtij dislokimi, SHBA-ja nisi një sulm ndaj një anijeje që thuhet se transportonte drogë nga Venezuela, duke vrarë të 11 personat në bord.
I pyetur dje nga një gazetar – nëse SHBA-ja do të fillonte sulmet ajrore në Venezuelën kontinentale”, Trump u përgjigj: “Do të shohim çfarë do të ndodhë”.
Duke folur me gazetarët në Nju Xhersi, presidenti Trump tha se Venezuela po dërgonte në SHBA, anëtarët e bandave të saj, tregtarët e drogës dhe drogë.
Ai tha se trafiku detar në Karaibe Jugore ishte ulur ndjeshëm “që nga sulmi i parë”.
Ekspertët ngritën pyetje lidhur me ligjshmërinë e sulmit të 2 shtatorit ndaj anijes së dyshuar të drogës, duke thënë se mund të ishte shkelur ligji ndërkombëtar.
Venezuela u përgjigj duke ngritur dy avionë luftarakë F-16 mbi një shkatërrues të Marinës Amerikane, dy ditë më vonë.
Kjo e nxiti Trump të paralajmëronte se çdo avion venezuelan që do ta vendoste SHBA-në në një situatë të rrezikshme do të rrëzohej.
Pas një qetësie të shkurtër, tensionet u rritën sërish të shtunën kur ministri i Jashtëm venezuelan, Yván Gil akuzoi forcat amerikane se kishin hipur në një anije venezueliane.
Gil tha se anija, të cilën ai e përshkroi si anije peshkimi të vogël dhe të padëmshme, ishte sekuestruar në mënyrë të paligjshme dhe armiqësore, për tetë orë.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme venezueliane pretendoi se ata që kishin urdhëruar sekuestrimin – po kërkonin një incident për të justifikuar përshkallëzimin e luftës në Karaibe, me qëllim ndryshimin e regjimit në Karakas.
SHBA-ja dhe shumë vende të tjera, përfshirë Britaninë e Madhe, nuk e kanë njohur rizgjedhjen e Nicolás Maduro në korrik 2024 – duke iu referuar provave të mbledhura nga opozita – me ndihmën e vëzhguesve të pavarur që tregojnë se rivali i tij, Edmundo González, kishte fituar zgjedhjet me një shumicë dërrmuese.
Zyrtarët amerikanë kanë akuzuar gjithashtu Maduro se drejton një kartel droge të quajtur “Karteli i Diejve” – duke ofruar një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për informacione që çon në kapjen e tij.
Maduro i ka mohuar akuzat dhe ka akuzuar SHBA-në për një “lëvizje imperialiste” për ta rrëzuar atë.





