Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se ushtria amerikane nuk do të hezitojë të qëllojë me armë emigrantët që hedhin gurë ndaj tyre në kufi.

Trump e bëri deklaratën nga Shtëpia e Bardhë, ku shpalli edhe planin e tij për të ashpërsuar masat e dhënies së azilit për të dekurajuar fluksin e azilkërkuesve. Tre karvanë me mijëra emigrantë nga vendet amerikano-latine po udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara dhe aktualisht ndodhen në jug të Meksikës.

Autoritetet meksikane raportuan për disa incidente gjatë përpjekjeve për të ndaluar hyrjen e emigrantëve në kufirin e tyre nga Guatemala. Disa policë të të dy vendeve u plagosën pasi turma emigrantësh qëlluan me gurë e shishe në drejtim të post-blloqeve kufitare.