Presidenti amerikan Donald Trump u tha disa anëtarëve të Kongresit se po konsideron ndërhyrjen ushtarake në Siri, në formë raprezaljeje kundër sulmit me armë kimike të kësaj jave.
Sipas televizonit amerikan “CNN”, i cili bazohet në burimet e veta brenda administratës, Trump tha se është i ndërgjegjshëm për seriozitetin e situatës në Siri, sidimos pas ngjarjeve të fundit.
“CNN” raporton se presidenti nuk ka vendosur ende që të përdorë ushtrinë, por ka diskutuar strategji të ndryshme me Sekretarin e Mbrojtjes, James Mattis.
Sipas burimeve të “CNN”-it, Pentagoni prej kohësh ka gati plane për të goditur arsenalin kimik të Sirisë dhe ia ka paraqitur këto administratës.
Të mërkurën, Trump dënoi publikisht sulmin kimik të regjimit “Assad” si një akt mizor, diçka që sipas tij nuk mund të tolerohet. Presidenti amerikan tha gjithashtu se sulmi kishte ndryshuar pikëpamjen e tij për presidentin Bashar al-Assad, e kjo s’është asgjë e mirë për të, duke qenë se vetëm pak ditë më parë Shtetet e Bashkuara thanë se rrëzimi i Assadit nuk ishte prioritet.
E ndërsa opsioni ushtarak në Siri nuk është përmendur zyrtarisht, këtë e kanë kërkuar fare hapur senatorët John McCain dhe Lindsey Graham, të cilët përmes një komunikate të përbashkët thanë se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërhyjnë. Sipas tyre, SHBA-të duhet të tregojnë se përdorimi i armëve kimike nuk do të tolerohet, ndërsa bënë thirrje për një forcë ndërkombëtare që të shkatërrojë flotën ajrore të Assad.