Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi sanksione të reja të fuqishme kundër Koresë së Veriut, pasi kjo e fundit ka testuar raketë të re balistike ndërkontinentale.
“Sapo kam folur me presidentin e Kinës, Xi Jinping, në lidhje me veprimet provokuese të Koresë së Veriut. Sanksione të reja të mëdha do të ndërmerren kundër Koresë së Veriut sot. Kjo situatë do të trajtohet”, tha Trump përmes një postimi në Twitter.
Shtëpia e Bardhë tha se Trump, gjatë bisedës telefonike me homologun kinez, e ka bërë të qartë “vendosmërinë e SHBA-së” për të mbrojtur veten dhe aleatët.
Trump po ashtu “theksoi nevojën që Kina të shfrytëzojë të gjitha mjetet në dispozicion për të bindur Korenë e Veriut që t’iu japë fund provokimeve dhe t’i kthehet rrugës së denuklearizimit”.
Kina është aleati dhe partneri kryesor tregtar i Phenjanit.
Koreja e Veriut ka testuar mëngjesin e së mërkurës një lloj të ri të raketës balistike ndërkontinentale, e cila, sipas Phehjanit, mund të arrijë kudo në Shtetet e Bashkuara.
Televizioni shtetëror verikorean tha se Phenjani e ka përmbushur misionin e tij për t’u bërë shtet nuklear.
“Sistemi Hwasong-15 është një raketë balistike ndërkontinentale, me kokë shpërthyese shumë të rëndë dhe me kapacitet për të goditur në gjithë tokën amerikane”, tha folësja e lajmeve derisa dha njoftimin për testin raketor.
Raketa ka zbarkuar në ujërat e Japonisë, por ka fluturuar më larg se çdo raketë tjetër që ka testuar Phenjani deri më tash.