Donald Trump mori detyrën dhe që në fjalimin e parë nuk i kurseu deklaratat e forta, sidomos në politikën e jashtme. Ai i mëshoi sërish faktit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta marrin mbrapsht Kanalin e Panamasë.

Por deklaratat e tij të forta kanë sjellë po ashtu kundërpërgjigjen e Panamasë. Presidenti i këtij vendit, Jose Raul Mulino, e hodhi poshtë këtë ide të Trump.

“Kanali është e do të jetë pjesë e Panamasë dhe administrimi i tij do të vazhdojë të jetë nën kontrollin panamez, duke respektuar neutralitetin e përhershëm”, – tha Mulino pas fjalimit të Trump të hënën.

Mulino po ashtu kundërshtoi pretendimin e Trump se kanalin, i cili bashkon Detin e Karaibeve me Oqeanin Paqësor, e operon Kina. “Nuk ka asnjë prani të ndonjë kombi në botë që ndërhyn me administratën tonë”, – tha Mulino, por pa përmendur Kinën drejtpërdrejtë.

Ai bëri thirrje për dialog mbi çështjen, “për të sqaruar pikat e përmendura, por pa minuar të drejtat e Panamasë”, që sipas presidentit ka pronësi dhe sovranitet të plotë mbi kanalin.

Ndërkohë Autoriteti i Kanalit të Panamasë i tha CNN se nuk do t’i komentojë deklaratat e Trump.

“Anijet amerikane po mbifaturohen dhe nuk po trajtohen drejt në asnjë mënyrë të mundshme dhe kjo përfshin edhe Marinën e Shteteve të Bashkuara. Mbi të gjitha, Kanalin e Panamasë po e kontrollon Kina dhe ne nuk ia dhamë Kinës. Ia dhamë Panamasë dhe do ta marrim sërish mbrapsht”, – pretendon Trump.