Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka konfirmuar se ka nënshkruar një deklaratë që shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Qarkun e Kerr-it. Kjo zonë është më e goditura nga përmbytjet në Teksas.
“Sapo nënshkrova një Deklaratë për Gjendje Katastrofe të Madhe për Qarkun Kerr, Teksas, për të siguruar që forcat tona të para të ndërhyrjes të guximshme të kenë menjëherë burimet që u nevojiten. Këto familje po përballen me një tragjedi të paimagjinueshme, me shumë jetë të humbura dhe shumë persona ende të zhdukur”, tha Trump në një postim në “Truth Social”.
Ai u shpreh se administrata po punon ngushtë me autoritetet shtetërore të Teksasit dhe ato lokale. Sipas tij, trupat e Rojes Bregdetare, bashkë me forcat e emergjencës kanë shpëtuar më shumë se 850 jetë njerëzish.
Kujtojmë se nga përmbytjet në Teksas kanë humbur jetën në total 69 persona sipas Sky News. Vetëm në qarkun e Kerrit u shuan 59 jetë njerëzish ndërsa në qarqet e tjera dhjetë persona. Vijon kërkimi për gjetjen e 11 fëmijëve që ndodheshin në Camp Mystic, një kamp i njohur për vajzat në brigjet e lumit Guadalupe, fryrja e të cilit solli tragjedinë.