Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur një rritje të ndjeshme të tarifave ndaj Kinës, duke i çuar ato në 125%, me efekt të menjëhershëm. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Trump përmes një postimi në rrjetin e tij social “Truth Social”.

“Bazuar në mungesën e respektit që Kina ka treguar ndaj tregjeve botërore, unë po e rris tarifën e vendosur ndaj Kinës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 125%. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë,” shkruan Trump.

Ndërkohë, ai ka njoftuar një pezullim 90-ditor për tarifat e reja që do të aplikoheshin për dhjetëra vende të tjera, përjashtuar Kinën. Gjatë kësaj periudhe, do të zbatohet një tarifë e reduktuar prej 10%, të cilën Trump e cilëson si “tarifë reciproke”.

Sipas Trump, ky vendim vjen pasi më shumë se 75 vende i janë drejtuar përfaqësuesve amerikanë për të negociuar mbi temat që lidhen me tregtinë, barrierat tregtare, manipulimin e monedhës dhe tarifat.

“Bazuar në këto zhvillime dhe mungesën e veprimeve konkrete nga ana e këtyre vendeve, kam autorizuar një pauzë 90-ditore dhe një tarifë të ulët reciproke prej 10% gjatë kësaj periudhe, që hyn në fuqi menjëherë,” thuhet në deklaratën e Trump.

Kujtojmë se në fillim të muajit, presidenti Trump kishte shpallur një tarifë “bazë” prej 10% për të gjitha vendet, ndërsa tashmë ka vendosur ta modifikojë atë për shumicën e vendeve, përveç Kinës, për të cilën masat janë ashpërsuar ndjeshëm.