Donald Trump është shfaqur si faktori vendimtar për çdo marrëveshje të mundshme paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë, në një intervistë për Politico. Ai theksoi se asnjë iniciativë nuk mund të ecë përpara pa miratimin e tij personal.
Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky, pritet të takohet me Trump në Florida të dielën, ku do të paraqesë një plan të ri paqeje me 20 pika. Sipas burimeve, propozimi përfshin krijimin e një zone të çmilitarizuar, ndërsa në fokus të bisedimeve do të jenë edhe garancitë e sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, Trump u shpreh skeptik ndaj nismës së re të Zelenskyt dhe pa gatishmëri për ta pranuar menjëherë atë.
“Ai nuk ka asgjë derisa ta miratoj unë”, deklaroi Trump. “Do të shohim çfarë sjell.”
Pavarësisht rezervave, Trump la të hapur mundësinë për zhvillime pozitive, duke u shprehur optimist për takimet e fundjavës.
“Besoj se do të shkojë mirë me të. Besoj se do të shkojë mirë edhe me Vladimir Putinin”, tha ai, duke shtuar se planifikon të flasë me presidentin rus “së shpejti”.
Deklaratat e Trump vijnë një ditë pas takimeve të Zelenskyt me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndrin e Trump. Presidenti ukrainas i cilësoi këto bisedime si “të mira”.
Ndërkohë, Trump komentoi edhe sulmet ajrore amerikane kundër ISIS në Nigeri, të cilat i lidhi me hakmarrje për vrasjen e të krishterëve, duke e cilësuar situatën si një nga më të rëndat e dekadave të fundit. Ai zbuloi se operacioni ishte planifikuar fillimisht për të mërkurën, por u shty me urdhër të tij për arsye simbolike.
“Thashë jo, le t’u bëjmë një dhuratë për Krishtlindje”, u shpreh Trump, duke shtuar se “goditja ishte e fortë dhe çdo kamp u shkatërrua”.
Trump konfirmoi gjithashtu se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do ta vizitojë atë gjatë fundjavës.
“Kam Zelenskyn dhe kam Bibin që po vijnë. Të gjithë po vijnë”, deklaroi ai.





