Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara u kanë thënë mediave se presidenti, Donald Trump, gjatë ditës së sotme do ta njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe do të fillojë lëvizjen e Ambasadës amerikane nga Tel Avivi në këtë qytet të lashtë.
Në këtë vendim, i cili rrezikon që të shkaktojë dhunë në Lindjen e Mesme,Trump, në fjalimin e planifikuar, do të shpallë se ka urdhëruar zhvillimin e një plani për lëvizjen e ambasadës nga Tel Avivi, në një proces që pritet të zgjasë tri ose katër vjet, kanë thënë zyrtarët, transmeton REL.
Shumë shtete nuk e njohin sovranitetin e Izraelit ndaj gjithë qytetit të Jerusalemit, ku ndodhen vende që konsiderohen të shenjta nga myslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët.
Reagim të fortë ka bërë për këtë edhe presidenti i Turqisë, Erdogan, duke e quajtur lëvizjen si një goditje të fortë të ndërgjegjes së njerëzimit.