Presidenti amerikan Donald Trump thotë se është i hapur për bisedime me Korenë e Veriut “në kohën e duhur”. Sipas Shtëpisë së Bardhë Presidenti zhvilloi të mërkurën një bisedë telefonike me presidentin e Koresë së Jugut Moon Jae-in.
“Dy udhëheqësit theksuan rëndësinë e vazhdimit të fushatës së presionit maksimal ndaj Koresë së Veriut”, thuhet në një deklaratë të zyrës së sekretares së shtypit Sarah Huckabee Sanders, që i referohet bisedës.
“Presidenti Trump shprehet i hapur për të mbajtur bisedime mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut në kohën e duhur, nën rrethanat e duhura”, thotë deklarata.
Biseda u njoftua fillimisht nga zyra e presidentit Moon. Ajo vjen një ditë pasi Koreja e Veriut dhe e Jugut zhvilluan bisedimet e tyre të para në më shumë se dy vjet.
Është hera e dytë që udhëheqësit e SHBA-së dhe Koresë së Jugut bisedojnë brenda më pak se një jave.
Deklarata e zyrës së presidentit Moon bënte një karakterizim të ngjashëm, duke cituar presidentin Trump që i thoshtë zotit Moon se “në kohën dhe rrethanat e përshtatshme, Shtetet e Bashkuara janë të hapura, nëse Koreja e Veriut dëshiron të bisedojë”.
Sipas deklaratës së Seulit, zoti Trump kishte rënë dakord se nuk do të kishte asnjë veprim ushtarak, ndërkohë që zhvillohen bisedime.
Më herët të mërkurën, zoti Moon theksoi se çnuklearizimi i Koresë së Veriut është qëllimi afatgjatë i përpjekjeve të tij për t’u angazhuar me Phenianin për të marrë pjesë në Lojrat e ardhshme Olimpike dhe për të rifilluar bisedimet ushtarake.
“Ajo që ne mund të bëjmë për momentin është përmirësimi i marrëdhënieve ndër-koreane, të angazhojmë Korenë e Veriut në dialog, në mënyrë që të kthehet në tryezën e negociatave, për të mbrritur në fund tek çnuklearizimi”, tha zoti Moon gjatë konferencës vjetore për shtyp të tij, njofton VOA.





