Deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump mbi rolin e trupave aleate në Afganistan kanë shkaktuar reagime të forta në Mbretërinë e Bashkuar dhe jo vetëm. Në një intervistë për Fox News, Trump ka minimizuar kontributin e forcave të NATO-s nga vendet aleate, duke lënë të kuptohet se ato qëndruan larg vijës së frontit gjatë konfliktit 20-vjeçar në Afganistan.

“Sinqerisht nuk jam i sigurt nëse NATO do t’i ndihmonte Shtetet e Bashkuara nëse do të kishim nevojë”, deklaroi Trump. “Thonë se kanë dërguar disa trupa në Afganistan, dhe është e vërtetë, por ato kanë qëndruar në prapavijë, larg vijës së frontit”, shtoi ai.

Deklaratat janë cilësuar si të pavërteta dhe fyese në Britani, ku 457 ushtarë britanikë kanë humbur jetën gjatë luftës kundër talebanëve, humbjet më të mëdha pas atyre amerikane. Kryeministri britanik Keir Starmer reagoi ashpër, duke i quajtur fjalët e Trump “të ftohta dhe ofenduese” dhe duke kërkuar që presidenti amerikan të kërkojë ndjesë.

Reagime pati edhe nga Princi Harry, i cili ka shërbyer vetë në Afganistan me trupat britanike: “Sakrifica e ushtarëve tanë meriton respekt”, u shpreh ai.

Sipas zëdhënëses së Trump, presidenti nuk ka ndërmend të kërkojë falje. Në këtë klimë, marrëdhënia tradicionale e ngushtë mes Uashingtonit dhe Londrës duket se po ftohet më tej, e tensionuar më herët edhe nga mosmarrëveshjet për Groenlandën dhe refuzimi i Starmer për t’u përfshirë në nismën “Board of Peace” për Gazën.

Në Britani, ku mbështetja për forcat e armatosura është pothuajse unanime, deklaratat e Trump kanë nxitur reagime nga të gjitha krahët politikë. Nigel Farage, lider i partisë Reform, e cilësoi deklaratën si “të gabuar”, ndërsa deputetja laburiste Emily Thornberry e quajti “një fyerje të rëndë ndaj ushtarëve të NATO-s, e bërë nga dikush që nuk ka shërbyer kurrë si ushtar”, shkruan La Republicca.

Lideri liberal-demokrat Ed Davey kërkoi që qeveria britanike të thërrasë ambasadorin amerikan për shpjegime, duke kujtuar se Trump kishte shmangur pesë herë shërbimin ushtarak gjatë Luftës së Vietnamit. Edhe liderja konservatore Kemi Badenoch theksoi se “sakrifica e ushtarëve të NATO-s në Afganistan meriton respekt, jo përbaltje”.

Nga ana e tij, zëvendësministri britanik i Mbrojtjes, Al Carns, veteran i luftës në Afganistan dhe mbajtës i dekoratës prestigjioze Military Cross, i quajti komentet e Trump “absolutisht qesharake”.

Lufta në Afganistan shënoi të vetmen herë kur u aktivizua Neni 5 i NATO-s, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA-të, që parashikon mbrojtje kolektive për të gjithë anëtarët e Aleancës. Gjatë dy dekadave të konfliktit humbën jetën mbi 3 mijë e 500 ushtarë të NATO-s, përfshirë 2 mijë e 461 amerikanë dhe më shumë se 1 mijë nga vendet e tjera aleate, mes tyre 55 ushtarë italianë.