Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur të anulojë lejet që u mundësojnë gati 200,000 shtetasve të El Salvadorit të jetojnë dhe punojnë në SHBA.
Atyre u është dhënë Statusi i Përkohshëm i Mbrojtjes pas tërmetit vdekjeprurës që ka goditur El Salvadorin – shtet në Amerikën Qendrore – në vitin 2001.
Shtetasit e El Salvadorit duhet të largohen deri në vitin 2019 ose do të përballen me dëbim nëse nuk gjejnë mënyra të tjera ligjore për të qëndruar.
Administrata Trump tashmë u ka hequr Statusin e Përkohshëm të Mbrojtjes dhjetëra-mijëra njerëzve nga Haiti dhe Nikaragua.
Njoftimi i fundit vjen katër muaj pasi qeveria ka thënë se planifikon të shfuqizojë të ashtuquajturën skemë Daca, e cila daton nga koha e ish-presidentit Barack Obama dhe mbron nga dëbimi imigrantët e rinj pa dokumente, shumica e tyre nga Amerika Latine.
Ligjvënësve në Kongres u është dhënë kohë deri në mars të vendosin për fatin e rreth 800,000 njerëzve që preken nga programi Daca.