Presidenti amerikan Donald Trump pritet të emërojë zëdhënësen e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, në postin e ambasadores së SHBA-ve në Kombet e Bashkuara.

Raportimi në fjalë vjen nga mediet amerikane, nga “Fox News”, aty ku Nauert ka punuar në të kaluarën si prezantuese.

Nikki Haley, ambasadorja në detyrë e Amerikës në OKB, njoftoi gjatë muajit tetor se do të largohej nga posti në fund të këtij viti.

Nauert, 48 vjeç, u bë zëdhënëse e DASH-it në prill të vitit 2017, duke marrë asokohe për herë të parë një post qeveritar.

Gjithsesi, nga Departamenti i Shtetit nuk ka asnjë konfirmim zyrtar deri më tani.

Sipas “Bloomberg”, zgjedhja e Nauert do të ishte disi e çuditshme, duke parë eksperiencën e saj të paktë në qeveri apo sa i përket politikës së jashtme, përpara se të merrte rolin që ka në DASH. Veç rolit të zëdhënëses, Nauert është emëruar prej marsit të këtij viti edhe si nënsekretari në detyrë për diplomacinë publike dhe marrëdhëniet publike.

Megjithatë, emërimi i saj në postin e përfaqësueses së SHBA-ve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara do të duhet të miratohet edhe nga Senati amerikan.