Trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit do të hapë mbrëmjen e sotme siparin e edicionit të parë të “Festivalit Kombëtar të Teatrit për Fëmijë” në kalanë e Beratit.
Aktorët dhe regjisorja Driada Dervishi do të paraqiten para publikut beratas me komedinë e suksesshme “Martesa”. Kjo është shfaqja e parë që trupa e Durrësit interpreton në një skenë tjetër pasi kufizimet e pandemisë Covid-19 pamundësuan pjesëmarrjen në evente të ngjashme.
Në një postim në rrjete sociale, kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo shprehet entuziast për praninë e trupës së Durrësit në qytetin që ai drejton.
“Nuk ka magji më të madhe se kur skenat e mëdha shkrihen në natyrë, në hapësirë madhështore dhe muzeale, të mistershme dhe ikonike, siç është Kalaja jonë. Ditën e Premte në orën 20:00 do të shijojmë komedinë “Martesa”, nga aktorët e mirënjohur të teatrit.”
Ndërkohë, drejtori i Qendrës Kulturore Durrës, Elio Bajramaj shpjegon për “DurrësLajm” se trupa është duke punuar paralelisht për shfaqjen “Të prezantoj babain”, një komedi angleze e autorit Alan Ayckbourn që do të vijë premierë në muajin shtator, në hapje të sezonit të ri teatror.
Krahas kësaj, Bajramaj bën të ditur se duke qenë se jemi në mes të sezonit turistik dhe Durrësi pritet të vizitohet çdo ditë dhe më shumë nga turistë vendas dhe të huaj, Qendra Kulturore dhe drejtoritë në varësi të saj po punojnë për të sjellë larmishmëri shfaqjesh, sidomos në Amfiteatrin Antik, i cili këto ditë vere është kthyer në një nga skenat më të frekuentuara nga artdashësit.
Një kalendar i pasur artistik është ai i parashikuar për t’u zhvilluar gjatë ditëve të fundit të muajit qershor dhe muajit korrik. Më 30 qershor Orkestra frymore e qytetit vjen për të gjithë artdashësit në 1 koncert me marshe dhe pjesë të zgjedhura nga kompozitorë shqiptarë e të huaj që do të nisë nga Veliera, duke përshkruar “Bulevardin Epidamn”, për të ndaluar në sheshin “Liria”.
Sipas Bajramajt, fillimi i korrikut, saktësisht data 4 do të risjellë në skenën e Amfiteatrit koncertin e Orkestrës së Harqeve nën dirigjimin e maestros Petrika Afezolli.
“Gjatë muajit korrik parashikohet një kalendar i ngjeshur me shfaqje kulturore në Amfiteatrin Antik si “Festa e Detit”, festivali “Canta Napoli”, si dhe komedinë “Zyrtarisht beqare” që do të vijë nga trupa e teatrit “Skampa” të Elbasanit në datat 8, 9, 10 dhe 11 korrik. Një risi për këtë vit pritet të jenë dy shfaqje të teatrit të kukullave të Tiranës që parashikohen të vihen në skenë gjatë dy fundjavave.”, vijon më tej ai.
Java e parë e gushtit do të hapet me edicionin e 10-të të Bienales së Muzikës Klasike nga violinisti Florian Vlashi, i cili këtë vit vjen si dedikim për të atin e ndjerë, shkrimtarin dhe përkthyesin e njohur durrsak, Gjergj Vlashi.
Ndërkohë në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” përgjatë gjithë muajit gusht od të qëndrojnë të ekspozuara disa nga veprat më të njohura të të ndjerit Vasia, i cili këtë vit mbush plot 10 vite që është ndarë nga jeta.