Në Durrësin antik zbriti mbrëmjen e së enjtes për herë të parë trupa e baletit të TKOB. Një balet kontemporan në amfiteatrin 2 mijë vjeçar të qytetit bregdetar, që fliste për ekzistencën e natyrës dhe dashurinë për tokën.
Trupa e baletit, nën drejtimin e koreografit Julind Dervishi performoi si rradhë herë në ambient të hapur.
Për balerinën Rovena Shqevi, mesazhi i fortë që baleti kërkon të përcjellë lidhet ngushtësisht me sjelljen e njerëzimit kundrejt planetit tonë.
“Është një pjesë që ka të bëjë shumë me ambientin, me gjithçka që na rrethon, me mënyrën sesi duhet të sillemi me tokën dhe me planetin për të marrë feedback-un mbrapsht.
Fakti që e sjellim në amfiteatër është shumë domethënës”, tha Shqevi.
Me një skenë më të vogël se e zakonshmja, performanca erdhi përpara artdashësit durrsak e modifikuar dhe e përshtatur për ambiente të hapura. Dhe sigurisht me pak vështirësi teknike për balerinët.
“Vështirësitë janë që nga skena, nga platforma që është më lart, bordet janë të hapura dhe për ne përbën problem. Publikun në këtë rast e kemi shumë afër dhe kjo është shumë emocionuese për ne, sepse jemi mësuar ta kemi publikun larg”,– tha balerina Rovena Shqevi.
“Nëse ne performojmë në një skenë 12-15 metra, këtu jemi të reduktuar në lëvizje. Hapat që i bënim më të mëdha, këtu do i bëjmë më të vegjël”.– shtoi balerina Livia Lara.
Pas Durrësit, baleti “Humus” do të shfaqet edhe në Shëngjin, në kuadër të kalendarit veror të TKOB-së.
M.B.