Trupat amerikane pritet të tërhiqen plotësisht nga Iraku deri më 30 shtator, deklaroi kryeministri i vendit, Ali al-Zaidi, gjatë një takimi me presidentin amerikan Donald Trump në Uashington.
“Nuk mendojmë se kemi më nevojë për ushtrinë atje”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Më herët, rreth 2,500 ushtarë amerikanë ishin të vendosur në Irak, duke zhvilluar operacione kundër organizatës terroriste Shteti Islamik (ISIS), por numri i tyre është reduktuar muajt e fundit.
Qeveria e Al-Zaidit e ka lidhur tërheqjen e planifikuar të forcave amerikane me çarmatimin e milicive të fuqishme të mbështetura nga Irani.
“Më 30 shtator forcat amerikane do të largohen dhe kompanitë amerikane do të hyjnë. Pas 30 shtatorit nuk do të lejojmë asnjë entitet të mbajë armë jashtë autoritetit të shtetit”, deklaroi Al-Zaidi.
Trump: Do të bëjmë shumë marrëveshje me Irakun
Fokusi kryesor i vizitës së Al-Zaidit në Uashington është sigurimi i investimeve të mëdha amerikane në sektorët e naftës, gazit dhe energjisë elektrike të Irakut.
Gjatë takimit në Zyrën Ovale, Al-Zaidi njoftoi se së shpejti do të shpallet një “partneritet ekonomik” mes dy vendeve.
Trump u shpreh se Iraku ka potencial të jashtëzakonshëm falë rezervave të tij të naftës.
“Do të bëjmë shumë marrëveshje. Do të krijojmë shumë vende pune për të dy vendet dhe do të nxjerrim shumë naftë”, tha presidenti amerikan, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Sipas dy zyrtarëve irakianë, Iraku, kompania Chevron, TI Capital dhe kompania katariote UCC pritet të nënshkruajnë të premten një marrëveshje për ndërtimin e një naftësjellësi me kapacitet prej 2 milionë fuçi në ditë. Naftësjellësi do të lidhë qytetin e Basrës me Hadithën dhe do të zgjatet deri në portet e Turqisë dhe Sirisë.





