Mediat italiane sërish kanë rikthyer në vëmendjen e tyre misterin e zhdukjes së avokatit shqiptar Besnik Muço që me datën 2 nëntor. Në artikullin e publikuar nga "Lecceprima.it", bën të ditur se trupi i pajetë i gjetur në det po e vështirëson më shumë çështjen e hetimeve, pasi është shumë i dekompozua.
Sipas mediave italiane trupi i pajetë, të cilit i mungonte koka, u gjet mes 6 dhe 7 nëntorit në ujërat e Castro si dhe një protezë çeliku në këmbën e djathtë.
Por këto fakte, bindën edhe më shumë familjarët e Muços që të besonin se trupi i pajetë mos t’i përkiste 54-vjeçarit, pasi Besniku nuk kishte protezë. Ndërkohë, trupi që u gjet dyshohet se ka pasur më shumë kohë në det.
Ndonëse ende analizat e ADN-së nuk kanë dalë, policia ka dyshime që trupi i pajetë mund të jetë ndonjë skafisti, duke e lidhur dhe me një sasi të sekuestruar droge në këtë zonë pak kohë më parë.
Në bazë të hetimeve të Prokurorisë në Macerata dhe asaj të Tiranës, 54-vjeçari ka hipur në 2 nëntor në tragetin nga Durrësit drejt Barit, ndërkohë që në orën 23:00 celulari i tij dilte i fikur.
Kur trageti arriti në portin e Pulias, nuk kishte asnjë gjurmë të Muços. Policia gjatë kontrollit gjeti një qese me disa rroba, bileta, karta shëndetësore dhe dokumente të tjera që i përkisnin Muços.
Prokuroria e Tiranës po heton për rrëmbim personi pas denoncimit të vëllait të të zhdukurit. Gjatë trazirave të marsit të vitit 1997, prokurori, gruaja dhe djali i tij kishte ikur në Itali dhe u vendos në Macerata, ku ata u pritën si refugjatë politikë në sajë të punës së bërë në Shqipëri.





