Meshkujt e rritur kanë tru më të madh se femrat. Kjo diferencë është matur dhe arrin mesatarisht rreth 10%. Megjithatë, gjatë plakjes, truri mashkullor humbet vëllimin, më shpejt sesa ai femëror.

Atrofia cerebrale është një dukuri normale me kalimin e moshës dhe zakonisht fillon pas moshës 60 vjeç. Një studim i publikuar në revistën “PNAS” (Proceedings of the National Academy of Sciences), i koordinuar nga universitetet e Sidnejit dhe Oslos, ka matur shpejtësinë e ndryshme, me të cilën ndodh ky proces tek të dy gjinitë.

Në një zonë të korteksit të trurit, që përpunon ndjesitë e prekjes, temperaturës, dhimbjes, pozicionit të trupit dhe lëvizjeve të tij, vëllimi ulet me 1.2% në vit tek femrat dhe me 2% në vit tek meshkujt.

“Meshkujt shfaqin një rënie në një numër më të madh rajonesh të trurit, përfshirë shumë zona të korteksit”, shkruajnë neuro-shkencëtarët. “Tek gratë, ulja e vëllimit prek më pak zona dhe është më e kufizuar në korteks”.

Studiuesit përfshinë pothuajse 5,000 vullnetarë dhe u bënë atyre rezonanca magnetike të trurit, të përsëritura pas tre ose më shumë vitesh.

Të gjithë individët e studiuar ishin pa probleme njohëse, pavarësisht reduktimit të vëllimit të trurit me kalimin e viteve.

Ajo që i habiti studiuesit ishte mungesa e lidhjes mes madhësisë së trurit dhe demencës. Qëllimi i tyre ishte të kuptonin nëse atrofia e trurit mund të ishte një tregues i rrezikut për të zhvilluar Alzheimer.

Duke qenë se Alzheimer-i prek dy të tretat e rasteve gratë, dhe duke qenë se lidhet me moshën e shtyrë, neuro-shkencëtarët prisnin një rezultat të kundërt nga ai që gjetën.

“Nëse truri femëror do të tregonte një reduktim më të shpejtë të vëllimit krahasuar me atë mashkullor, kjo do të na ndihmonte të shpjegonim përhapjen më të madhe të Alzheimer-it te gratë”, shpjegoi një nga autoret, Anne Ravndal nga Universiteti i Oslos.

Shumë sëmundje neurologjike prekin ndryshe dy gjinitë. Autizmi, disleksia, çrregullimi i vëmendjes dhe hiperaktiviteti janë më të shpeshta tek meshkujt, ndërsa depresioni, ankthi dhe anoreksia janë më të zakonshme tek femrat.

Megjithatë, deri tani lidhja mes këtyre dallimeve dhe strukturës së trurit ka qenë e paqartë për shkencëtarët.

Edhe vetë diferenca në vëllim mes trurit të burrave dhe grave në moshë të re nuk ka lidhje me koeficientin e inteligjencës (IQ). Ky i fundit ndryshon shumë nga individi në individ, por jo e lidhur me gjininë.

Po të varej inteligjenca vetëm nga madhësia e trurit, atëherë do të ishim më pak inteligjentë se Homo sapiens-ët e para 100,000 viteve, pasi për arsye ende të paqarta, truri ynë është zvogëluar me 13% që prej asaj kohe.

Sot asnjë ekspert nuk do të mund të dallonte me sy të lirë një tru mashkullor nga ai femëror.

I pari që ia ka dalë ta bëjë këtë, në vitin 2024, ishte një model inteligjence artificiale i trajnuar për të njohur detaje shumë të imëta në rezonancat magnetike të trurit, në një eksperiment të Universitetit të Nju Jorkut, publikuar në “Scientific Reports”.

Një tjetër studim i publikuar po këtë javë në “Science Translational Medicine”, por i kryer mbi minj, sugjeron një pistë tjetër për të shpjeguar përhapjen më të madhe të Alzheimer-it tek gratë.

Studiuesit nga Universiteti i Kalifornisë – Los Anxhelos, kanë zbuluar një gjen në kromozomin X që shkakton një nivel të lartë inflamacioni në disa qeliza të trurit të quajtura mikroglia, të cilat kanë funksion mbrojtës imunitar.

Duke qenë se gratë kanë dy kopje të kromozomit X, aktiviteti i këtij gjeni inflamator është dyfish më i lartë se tek meshkujt.

Inflamacioni i indeve të trurit ka rol negativ në plakje, në shfaqjen e Alzheimer-it dhe të sklerozës multiple. Edhe kjo e fundit është shumë më e zakonshme te gratë, me një raport prej 3 me 1.