U organizua në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, tryeza e rrumbullakët me temë “Mirëqeverisja – Ndërtimi i Besimit të Publikut”. Ky aktivitet i Departamentit të Administrimit Publik në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike u zhvillua në kuadër të projektit “Qeverisja dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm”, i cili ka si synim të nxisë një debat shkencor në mbështetje të aktorëve kryesorë të qeverisjes vendore e qëndrore në Shqipëri.
Tryezën e nderuan me pjesëmarrjen e tyre zv. Kryeministrja, Znj. Senida Mesi, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor në Tiranë e Durrës.
Në fjalën e saj të përshëndetjes, Rektorja e UAMD-së, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, u fokusua në çështjet që lidhin të rinjtë me mirëqeverisjen.
“Duke pranuar rolin e rëndësishëm që luan Universiteti, UAMD-ja në këtë rast, i cili u mëson të rinjve si të komunikojnë zërin dhe nevojat e tyre tek vendimmarrësit, është nevoja e institucionalizimit të marrëdhënieve të tij me shoqërinë civile dhe aktorët vendorë e qendrorë”,u shpreh ndër të tjera ajo.
Po ashtu rektorja theksoi se “është e nevojshme të përfshijmë më shumë të rinj në procese të vendimmarrjes, t’i shohim ata si agjentë të forcimit të demokracisë dhe llogaridhënies në nivel vendor, si dhe të ndërtojmë një kulturë të re bashkëpunimi mes institucioneve, vendore dhe qendrore, me OJQ-të, median dhe botën akademike, pasi secila prej këtyrë palëve të interesit ka kontribut për të dhënë në mirëqeverisje”.
Ndërsa zv. Kryeministrja, znj. Senida Mesi, u shpreh e lumtur për praninë në aulat e universitetit “Aleksandër Moisiu”.
“Do të doja që bota akademike të luante një rol të rëndësishëm për të përmirësuar shërbimet tona ndaj qytetarit me analiza të thelluara dhe kërkim shkencor. Sepse qytetari dhe sipërmarrja janë në qendër të vëmendjes sonë”,theksoi ajo.
Më tej znj. Mesi u shpreh se “pedagogët dhe studentët mund të përfshihen në projekte të ndryshme të financuara nga ana e qeverisë, të cilët kanë si fokus kryesor përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarit dhe ndihmesën në mirëqeverisjen e vendit.”
Në fjalën e saj znj. Mesi u ndal gjithashtu edhe te Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, që janë të fokusuara në 17 grupe të fushave më të rëndësishme, njëra prej të cilave synon pikërisht cilësinë në mësimdhënie. Ajo përgëzoi UAMD-në për risitë që ka sjellë në arsimin e lartë në vend dhe ofroi mbështetjen e saj që Departamenti i Administratës Publike të bëhet pjesë e projekteve qeveritare.
Tryezën e përshëndeti edhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike – Juridike, Prof. As. Dr. Andon Kume, i cili në fjalën e tij vuri theksin te fakti që universitetet mund të ndihmojnë në mirëqeverisje. Tryeza pati gjithashtu kontribute të vlefshme nga lektorë të UAMD-së dhe përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, asaj të Durrësit dhe Prefekturës Durrës.





